KQZ: Ka përfunduar rinumërimi, rezultati final më së largu deri nesër

Pas 12 ditësh, sot ka përfunduar procesi i rinumërimit të 1.472 vendvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas vendimit të PZAP-së.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka shtuar se publikimi i rezultateve do të bëhet më së largu deri nesër.

Elezi ka shtuar se para se KQZ të bëjë certifikimin e rezultateve do të konsultohen me PZAP-në dhe Gjykatën Supreme.

“Para se KQZ të bëjë certifikimin e rezultatit përfundimtar  të zgjedhjeve merr konfirmim nga ana e PZAP dhe nga Gjykata Supreme që nuk ka ndonjë cështje që nuk është në shqyrtim. Pra, në momentin kur të kemi këto konfirmime do të procedojmë për certifikimin”, ka thënë Elezi para mediave.

Ai ka shtuar se rezultatet do të publikohen në uebfaqen e KQZ-së.

“Publikimi varet nga procedurat e QNR por më së largu deri nesër mund të bëhen publike”, ka shtuar Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së i pyetur për kalimin e pragut të koalicionit NISMA-AKR-PD ka thënë se nuk i dijnë rezultatet për asnjë parti.

“Nuk i dijmë rezultatet dhe do të presim publikimin e tyre në uebfaqe, ku aty do të dihen rezultatet për të gjitha subjektet politike dhe kandidatët që kanë qenë pjesë e kësaj gare”, tha Elezi.

Më herët, koalicioni NISMA-AKR-PD ka thënë se e kanë kaluar pragun dhe se janë bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Nisma: Përfundoi rinumërimi, jemi pjesë e Kuvendit

Deri te procesi i rinumërimit kishte ardhur pas vendimit të PZAP-së, e cila kishte i kishte vlerësuar si të bazuara disa ankesa të partive politike dhe kandidatëve për deputetë për rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit.

KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare një ditë e një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 6 tetor.

Sipas këtyre rezultateve, forca politike më e madhe në vend doli Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit me 32 deputetë që u pasua nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29 deputetë.

Njohës të proceseve zgjedhore në vend kanë vlerësuar se konstituimi i Kuvendit dhe votimi i Qeverisë mund të ndodhë gjatë muajit dhjetor të këtij viti.