KPM lanson projektin për të dhënat e mbi 250 media audiovizuele

Komisioni i Pavarur i Mediave në Kosovë ka lansuar projektin “Baza e të dhënave e mediave audiovizuele të Kosovës”.

Përmes një vegëze në uebfaqen kryesore të KPM-së, qytetarët mund të gjejnë informata për mbi 250 të licencuarit nga ky institucion.

Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti tha se harta digjitale e mediave audiovizuele në Kosovë ka për objektiv rritjen e transparencës së të licencuarve.

“Objektivi i dytë është që ky projekt të ndikoj në rritjen e transparencës së pronësisë së mediave audiovizuele duke ofruar sa më shumë informata për pronarët e aksionarët”- tha Mehmeti.

Kryetari i KPM-së deklaroi se synojnë që të ofrojnë edhe historikun e mediave ndër vite.

“Një objektiv tjetër është parandalimi i çdo lloj informaliteti në Kosovë. KPM ka një diversitet të të licencuarve dhe një numër të madh të tyre që tregojnë sfidën tonë për monitorimin e tyre” – tha ai.

Ky projekt i KPM-së u ndihmua nga OSBE në Kosovë, të cilët u falënderuan nga KPM.

Qytetarët përmes këtij regjistri mund të gjejnë informata rreth lokacionit të mediave së licencuar, numrin e telefonit, pronarin si dhe email adresat.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN në bashkëpunim me “Global Media Registery” ka publikuar më 13.12.2024  faqen e internetit të Monitorimit më të madh të Pronësisë së Mediave në Kosovë.

MOM-i krijon transparencë mbi kush e ka nën pronësi median, çfarë interesash të lidhura kanë pronarët, në çfarë mase ekzistojnë varësitë dhe për rrjedhojë, kush ka realisht ndikim potencial mbi opinionin publik. Deri më tani, MOM është zbatuar në rreth 20 shtete të botës gjatë tri viteve.

44 media u zgjodhën të jenë pjesë e hulumtimit bazuar në të dhënat e nxjerra nga MediaMetri, Google Analytics dhe prezencës së mediave në rrjete sociale.