Foto: Hajrullah Çeku/Facebook

Kosova nënshkruan marrëveshje për bashkëprodhim kinematografik me Francën

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka njoftuar se në Kanë të Francës ka nënshkruar marrëveshje për bashkëprodhim kinematografik.

Ai në një postim në Facebook ka thënë se sot është ditë e shënuar për kulturën dhe filmin.

Po ashtu, ai ka thënë se kjo marrëveshje është konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera ndër-shtetërore mes Kosovës dhe Francës.

“Moment krenarie. Urime komunitetit të filmit, suksese në realizime të përbashkëta filmike kosovaro-franceze”, ka thënë Çeku.

Më 18 maj të këtij viti me thirrjet për paqe e kundër luftës është hapur edicioni i 75-të i Festivali të Filmit në Kanë të Francës.

Një fjalim surprizë në ceremoninë hapjes së festivalit është mbajtur dhe nga presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, përmes një video-telefonate, njoftojnë mediat franceze. Presidenti Zelensky, një nga komedianët më të njohur uraninas, nga Kievi u ka bërë thirrje, filmbërësve që të ngrenë zërin e tyre kundër pushtimit të vendit të tij nga Rusia.

Festivali i Kanës është një prej festivaleve më të mëdha dhe më të rëndësishme jo vetëm në Evropë, dhe si i tillë mbledhë çdo vit yjet e kinemasë dhe filmat më të mirë nga gjithë bota.

Këtë vit, në Kanë nuk është asnjë film nga Kosova. Viti që shkoi dy filma nga Kosova u shfaqën në Kanë.

Filmi “Pa vend” i Saimir Karahodës, që garoi për “Palmën e Artë” në kategorinë e filmit të shkurtër, dhe filmi “Luaneshat e Kodrës” nga Luana Bajrami që u shfaq në kuadër të programit “Directors’ Fortnight” të këtij festivali.

Por, në Kanë do të jetë aktori shqiptar Alban Uka, i cili interpreton në filmin, “Tori and Lokita” (Tori and Lokita).

Festivali i Kanës do të mbahet deri më 28 maj 2022.