Gërmimet afër minierës Shtaval, më 10 maj 2022 | Foto: ZKM

Kosova kërkon imazhe satelitore shtesë të vendit në Serbi të dyshuar për varrezë masive

Qeveria e Kosovës thotë se i duhen më shumë imazhe satelitore të një varri të dyshuar masiv në Serbinë jugore për të përcaktuar nëse një kërkim për trupat e varrosur që u ndalua nga autoritetet e Beogradit duhet të vazhdojë.

Qeveria e Kosovës i tha BIRN se nevojiten më shumë imazhe satelitore të minierës Shtaval afër Sijenicës në Serbinë jugperëndimore, ku dyshohet se janë varrosur viktimat shqiptare të luftës së Kosovës, në mënyrë që të arrihet një vendim përfundimtar nëse gërmimet në atë vend duhet të vazhdojnë ose të ndalojnë.

“Nëpërmjet imazheve satelitore, në vitet e fundit, ishte e mundur të specifikohej vendndodhja e varrit masiv në Rudnicë (në Serbinë jugore në vitin 2013) pas të paktën katër vitesh gërmime, dhe vendndodhja e varrit masiv në Kizhevak (në Serbinë jugore në vitin 2020) pas më shumë se pesë vjet gërmimesh”, tha Rozafa Kelmendi, zëdhënëse e qeverisë së Kosovës.

Gërmimet në minierën e Shtavalit për mbetje mortore nga lufta në Kosovë u ndërprenë këtë muaj, 13 ditë pasi kishin filluar. Komisioni për Personat e Zhdukur i qeverisë serbe tha më 25 maj se nuk u gjetën eshtra të viktimave të luftës.

Qeveria e Kosovës kritikoi vendimin për ndalimin e gërmimeve. Zyra e kryeministrit të Kosovës fajësoi Serbinë për mosbashkëpunim në kërkim duke mos dhënë informacion shtesë nga arkivat e saj.

Por Veljko Odaloviq, kreu i Komisionit të Serbisë për Persona të Zhdukur, tha për Kosova Online më 25 maj se “më shumë se 7,000 metra kub tokë u hoqën nga vendi dhe çdo metër katror që dyshohej se ishte një varr i mundshëm u kontrollua”.

Komisioni i Qeverisë së Kosovës për Personat e Zhdukur aktualisht ka imazhe satelitore të minierës në Shtaval që mbulojnë fundin e majit dhe fillimin e qershorit 1999, por thotë se nevojiten imazhe që mbulojnë një periudhë më të gjerë kohore.

Kelmendi tha se Komisioni i Kosovës është në kontakt me institucionet ndërkombëtare në përpjekje për të siguruar imazhe satelitore shtesë.

Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, ekspertët mjeko-ligjorë të të cilit ndihmojnë në gërmime, i tha BIRN se imazhe të tilla satelitore mund të kërkohen nëpërmjet Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq nga “qendrat satelitore ndërkombëtare” si Qendra Satelitore e Bashkimit Evropian, SERC, ose nga “institucione ushtarake si NATO-ja ose ushtria amerikane që operonin në zonën e interesit në atë kohë”.

Megjithatë, një material i tillë zakonisht është i klasifikuar dhe është i vështirë për t’u marrë.

Qeveria e Kosovës gjithashtu i ka kërkuar vazhdimisht Serbisë që të hapë arkivat e saj ushtarake nga lufta e viteve 1998-1999, në mënyrë që të ndihmojë në sqarimin e fatit të personave të mbetur të zhdukur.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, KNKK, ka kryesuar Grupin e Punës për Personat e Zhdukur që nga viti 2004 dhe që atëherë ka vepruar si ndërmjetës midis Kosovës dhe Serbisë.

Rrahim Beqiri, zyrtar komunikimi për Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Kosovë, tha për BIRN se KNKK beson gjithashtu se “arkivat lokale përbëjnë një burim shumë të rëndësishëm informacioni”.

“Është e rëndësishme që të ezaurohen të gjitha rrugët për të identifikuar çdo lokacion të mundshëm ku mund të gjenden mbetje mortore dhe më pas t’u dorëzohen familjeve të tyre përkatëse”, tha Beqiri./BalkanInsight