Kongo: 49 trupa të gjetur në varreza masive pas sulmeve të milicisë lokale atje

Të paktën 49 trupa janë gjetur në varrezat masive të zbuluara në Republikën Demokratike të Kongos, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Kombet e Bashkuara të mërkurën.

Zëvendës zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, u tha gazetarëve në Nju Jork se trupat u gjetën të shtrirë në varre në dy fshatra në provincën e trazuar Ituri, pranë kufirit me Ugandën.

Provinca në verilindje të Kongos ishte objektivi i sulmeve për të cilat u fajësua një grup i milicisë lokale gjatë fundjavës. Haq tha se ata po hetonin nëse varrezat masive ishin të lidhura me luftimet e lidhura nga militantët lokalë.

Haq tha se gjithsej 42 viktima, përfshirë gjashtë fëmijë, u zbuluan në një varr masiv në fshatin Nyamamba dhe trupat e shtatë burrave të tjerë u gjetën në fshatin Mbogi.

Kush janë militantët pas trazirave në rajon?

CODECO – Kooperativa për Zhvillimin e Kongos – është një nga shumë milicitë që operojnë në lindjen e përfshirë nga konflikti në Kongo dhe luftëtarët e saj janë kryesisht nga komuniteti bujqësor Lendu.

Komuniteti Lendu ka qenë prej kohësh në konflikt me barinjtë Hema dhe autoritetet lokale kanë thënë se militantët e CODECO e kanë rrëmbyer gjithashtu një numër grash gjatë sulmeve në fshatra kohët e fundit.

Përleshjet midis grupeve janë ikthyer këtë muaj dhe të paktën 195 njerëz janë vrarë që nga dhjetori i vitit të kaluar në sulmet për të cilat fajësohen milicia CODECO dhe grupe të tjera të armatosura, ka thënë OKB.

Fraksionet CODECO e kanë bërë të ditur fundin e dhunës kundër civilëve në Ituri qershorin e kaluar, mirëpo gradualisht kanë rifilluar sulmet në zonë. Më shumë se 1.5 milionë njerëz janë zhvendosur në provincën Ituri si rezultat i luftimeve./DW

Përgatiti: Nuhi Shala