Foto: REL

Kosova në 2020 gjeti 11 viktima të luftës në varre të fshehta

Kreu i Komisionit për Personat e Zhdukur në Kosovë tha për BIRN se këtë vit u gjetën eshtrat e 11 viktimave të luftës, por shumë më tepër mbeten për t’u gjetur në varre të fshehta në vend dhe në Serbinë fqinje.

 

Kreu i Komisionit për Personat e Zhdukur i Kosovës, Kushtrim Gara, tha për BIRN se këtë vit në Kosovë dhe Serbi u kryen zhvarrime në dhjetë lokacione dhe se “u gjetën dhe u zhvarrosën mbetjet mortore të të paktën 11 personave, viktima të luftës”.

Përveç zbulimeve të reja, Gara tha se në vitin 2020, “mbetjet mortore të katër personave të identifikuar vite më parë u janë kthyer familjeve të tyre për t’u rivarrosur”.

Gjetjet më të fundit ndodhën më 18 dhjetor, kur eshtrat e një viktime lufte në Rahovec dhe disa pjesë të eshtrave të një viktime tjetër në lagjen Tusuz të Prizrenit u gjetën dhe u dërguan për analiza mjeko-ligjore dhe identifikim të ADN-së, shtoi Gara.

“Pas identifikimit ata do t’u dorëzohen anëtarëve të familjes për rivarrosje”, tha ai.

Rreth 6,000 persona të zhdukur nga lufta e Kosovës tashmë janë gjetur dhe identifikuar, por Gara paralajmëroi se ka ende 1,638 viktima të dyshuara, vendndodhjet e të cilëve nuk dihen. Këta janë kryesisht shqiptarë të Kosovës, por shifra përfshin edhe serbë.

Në fillim të dhjetorit, nisën gërmimet pasi u gjet një varr masiv në një minierë të hapur në fshatin jugor serb Kizhevak.

Komisioni i Serbisë për Personat e Zhdukur tha se varri masiv përmbante eshtrat e midis 15 dhe 17 njerëzve, të cilët janë pothuajse me siguri ato të shqiptarëve etnikë që u vranë gjatë luftës në Kosovë.

Zbulimi në Kizhevak ishte i fundit në një seri varresh masive të zbuluara në Serbi. Viktimat e masakrave të luftës nga forcat serbe u transportuan në Serbi dhe u varrosën në varre dytësore në përpjekje për të mbuluar krimet.

Gjatë vitit 2020, pati gjithashtu gërmime në pesë lokacione në Kosovë: në një varrezë myslimane në Mitrovicën Veriore, në fshatrat Polane dhe Syrigane dhe në varrezat në Rahovec dhe Prizren.

Në vitin 2021, gërmimet do të vazhdojnë në Mitrovicë, Prizren dhe Syrigane, tha Gara.

Ai shpjegoi se pengesa kryesore për gjetjen e personave të zhdukur të mbetur nga lufta është mungesa e informacionit të besueshëm.

“Serbisë vazhdimisht i kërkohet të hapë arkivat e saj, në veçanti arkivat e ish-Ushtrisë Jugosllave, dhe të vërë në dispozicion informacionin nga këto arkiva për këtë proces,” tha ai

“Është kërkesë e vazhdueshme që Serbia të hap arkivat, në veçanti arkivat e ish-Ushtrisë jugosllave dhe informatat nga këto arkiva t’i vë në dispozicion të këtij procesi”, tha ai.

Këto arkiva ushtarake janë një sekret shtetëror, por presidenti serb Aleksandër Vuçiç është ofruar të sigurojë informacione të tilla, nëse hapen edhe arkivat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të zbuluar vendet e viktimave serbe të luftës.

Megjithatë, në Kosovë thonë se për shkak se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një forcë guerile, ajo nuk mbante arkiva të tilla. BalkanInsight