Kosova jashtë agjendës së KiE, ministri i Jashtëm i Shqipërisë: Qeveria të përmbushë zotimet me shpejtësi

Ministri i Punëve të Jashtmei Shqipërisë, Igli Hasani ka thënë se është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të përmbushë sa më shpejtë zotimet që i ka marrë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Hasani thotë se “dështimi” për të vendosur për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e sotëm të Këshillit të Evropës, sipas tij, është një mundësi e humbur historike për Kosovën që të ketë një vend të merituar në tryezë dhe një zë më të fortë në formimin e një Evrope të bashkuar dhe demokratike.

“Është e nevojshme që qeveria e Kosovës të veprojë me shpejtësi për të përmbushur zotimet që ka marrë dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive me partnerët dhe përkrahësit e saj të vendosur ndërkombëtarë. Kjo duhet të pasohet me përpjekje kolektive që në të ardhmen e afërt të mbahet një tjetër Komitet i Ministrave të KiE”- ka shkruar Hasani në Facebook.

Ministri thotë se të gjithë duhet të veprojnë me shpejtësi për të përmbushur atë se “ç’ka i kemi borxh popullit të Kosovës”.

Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet ka thënë se është çmenduri të ndalohet progresi i Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Sipas tij, ministrat e Jashtëm në Strasburg duhet të caktojnë datë të re për një takim të jashtëzakonshëm për Kosovën.

Ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës (KiE) do të mbajnë mbledhje sot më 17.05.2024.

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë nuk është vendosur në agjendën e kësaj mbledhjeje.

Ky takim i ministrave do të mbahet në Strasburg dhe pritej se në të do të vulosej që Kosova të bëhej anëtarja e 47-të e KiE-së.

Kosovës nga disa shtete i është kërkuar dorëzimi i projektstatutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatë Kushtetuese si hap për të fituar mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve të shteteve anëtare të KiE-së për anëtarësim në këtë organizatë.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, më 16.05.2024, i ka dërguar letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.

Ky draft, siç ka thënë Gërvalla, do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Pas njoftimit të institucioneve të Kosovës se do të përgatisin një draft-statut që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka deklaruar se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të duhej të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese para mbledhjes së ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që do të mbahet më 17.05.2024.