Kosova e kalon Shqipërinë me numrin e të prekurve me COVID-19

Kosova për herë të parë e ka kaluar Shqipërinë sa i përket numrit të personave që janë prekur nga coronavirusi.

Pas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike se 37 persona kanë dalë pozitiv me coronavirus në Kosovë, numri i përgjithshëm ka shkuar në 598. Ndërsa në Shqipëri, numri i të infektuarve me coronavirus është 584, apo 14 më pak se në Kosovë.

Në Kosovë, numri i të shëruarve nga coronavirusi ka shkuar në 123 kurse në Shqipëri ky numër ka arritur në 327.

Shqipëria është para Kosovës, sa i përket numrit të personave që kanë vdekur nga coronavirusi.

Në Kosovë, që nga 13 marsi, kur është regjistruar personi i parë me coronavirus, e deri më sot kanë vdekur 15 persona kurse në Shqipëri ky numër ka shkuar në 26.

Sipas të dhënave të fundit të Worldometrics, në të gjithë botën numri i të infektuarve me coronavirus është mbi 2.4 milionë kurse numri i të vdekurve ka shkuar mbi 170 mijë.

Vendi me më së shumti të prekur është ShBA, me mbi 780 mijë raste, e ndjekur nga Spanja me mbi 200 mijë dhe Italia me 181 mijë.