Gazetaret ukrainas te strehuar ne Kosove

Kosova e gatshme të strehoj refugjatë nga Ukraina

Në një vjetorin e agresionit rus në Ukrainë krerët shtetërorë kanë dorëzuar letra falënderimi për gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë.

Në këtë ceremoni, Presidentja Vjosa Osmani tha se Ukraina do të ketë gjithmonë përkrahjen e Kosovës, ndërsa theksoi se ata që avokojnë për gjenocid nuk mund të shndërrohen në agjendë të paqes.

“Pavarësisht sfidave dhe vështirësive, populli i Ukrainës ka qëndruar i pa lëkundur. Kjo nuk është vetëm luftë e tyre por luftë për të mbrojtur vlerat e demokracisë kudo në botë. Më 1999 bota demokratike u vu në anën e Kosovës, sot bota demokratike është në anën e Ukrainës sepse e drejta është në anën e saj. Ata qe avokojnë për gjenocid njëherë nuk mund të shndërrohen në agjendë të paqes asnjëherë. Të dashur ukrainas vazhdoni të qëndroni të fortë, sepse një popull liridashës gjithmonë del fitues. Do ta keni gjithmonë përkrahjen e Kosovës”- tha presidentja Osmani.

Kryeministri Albin Kurti theksoi se Kosova e kishte dënuar dhe vazhdon të dënoj fuqishëm agresionin rus në Ukrainë.

Kurti tha se Kosova është e gatshme të strehoj refugjatë nga Ukrainë në Kosovë.

“Shprehem gatishmërinë për të strehuar refugjatë nga Ukraina. Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës ishte shokuese, por jo befasuese. Sot po bëhen 1 vit nga rezistenca e një populli liridashës. Nga 24 shkurt deri më 12 shkurt 2023 janë regjistruar mbi 18 mijë viktima civile. Jemi të lumtur që Kosova është bërë shtëpinë e 12 gazetarëve. Ukraina duhet të fitojë sepse vetëm kështu do të vihet paqja në kontinent”- tha Kurti.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se lufta e ukrainaseve është luftë për liri.

Ai falënderoi gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë për raportimet dhe rrëfimet e tyre për Kosovën, duke thënë se për shkak të tyre dy popujt janë afruar ndërmjet vete.

“U bë një vit dhe gjatë këtij vitit jemi dëshmitarë të një qëndrese të pa epur e shumë frymëzuese kundër okupacionit rus. Edhe një herë historia po na tregon që ekzistojnë ende luftërat e drejta në botë. Kjo është lufta e një populli paqedashës për liri që është në gjendje të sakrifikoj të gjitha. Kosova qëndron fuqishëm me Ukrainën dhe Kosova menjëherë e ka dënuar këtë sulm të pa drejtë”- tha Konjufca.

Sot, 24 shkurt 2023, janë bërë saktësisht një vit që kur Rusia ndërhyri ushtarakisht në territorin e Ukrainës për ta pushtuar këtë vend. Përkundër shumë vlerësimeve të inteligjencës përendimore që parashikonin një fitore të shpejtë ruse, Ukraina dëshmoi pikërisht të kundërtën. Forcat ukrainase ndaluan një sulm në kryeqytetin e saj, Kiev, dhe e detyruan Rusinë ta ndryshojë fokusin e saj në pjesën lindore të vendit.

Një vit pas luftës, ka shenja se luftimet mund të zvarriten për shumë më gjatë. Rusia nuk është lëkundur nga qëllimi i saj për ta futur nën kontrollin e saj Ukrainën lindore, ndërkohë që Kievi ka refuzuar çdo zgjidhje që do të lejonte që territoret e saj të pushtuara gjatë luftës të mbeten nën pushtimin rus.

Lufta ka marrë një numër të madh të jetëve të humbura, shtëpive të shkatërruara dhe banorëve të larguar. Miliona ukrainas janë larguar nga vendi i tyre, duke rezultuar në eksodin më të madh të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Një vit nga pushtimi rus të Ukrainës, Zelenskiy: viti 2023 do të jetë vit i fitores