Inspektorët e ATK-së, Foto:KALLXO.com

Kontrolli i ATK-së në institucionin e Arkivës së Shtetit - VIDEO

Emisioni i sotëm në “Drejtësia në Kosovë” transmetoi disa kontrolle të inspektorëve tatimor të Kosovës në disa biznese e institucione ku dyshoheshin se kishte parregullsi.

 

Në Agjencinë e Arkivës së Shtetit, sipas raportimit që kishte marrë fillimisht KALLXO.com, thuhej se nuk po paguheshin tatimet në paga dhe kontributet pensionale të punëtorëve.

“Sot do të zhvillojmë një vizitë te Agjencioni i Arkivës Shtetërore për të cilën kemi pranuar informata në lidhje me punëtorët që kanë kryer shërbime të veçanta dhe për të cilët dyshohet se nuk janë paguar tatimet në paga dhe kontributet pensionale”, tregoi inspektori Labinot Ahmeti.

Inspektori Ahmeti, fillon dhe shpjegon para përgjegjësit të agjencisë në lidhje me informatën e marrë dhe kërkoi nga zyrtarët e agjencisë që të paraqesin dëshmitë e pagesave në tatime si dhe kontribute pensionale të punëtorëve.

“Informata qe kemi marrë është se në vitin 2019 kanë qenë 21 punëtorë që kanë punuar me kontrata mbi vepër. Na duhen të gjitha dokumentet e punëtorëve”, vazhdoi Ahmeti.

Marrëveshja sipas zyrtarëve të agjencisë fillimisht ishte që punëtorët të paguanin vetë tatimin në paga dhe kontributet pensionale.

Një gjë e tillë u duk e çuditshme për inspektorin Ahmeti.

“Unë i pash kontratat. Nuk po e di mënyrën qysh e keni bë këtë marrëveshje edhe pse institucioni duhet të kryej këtë punë, tatimin në pagë dhe kontributet pensionale”, vazhdoi inspektori Ahmeti.

“Në bazë të informatave që kemi pranuar me 8.7.2020 kemi bo një vizitë në Agjencinë e Arkivave Shtetërore, ku në bazë të informatave kemi konstatuar se në vitin 2019, kanë qenë të punësuar 22 punëtor me kontrata mbi vepër dhe nuk janë realizuar tatimi në burim dhe kontributet personale gjatë kësaj periudhe sa kanë punuar”, tha Ahmeti.

“Kemi njoftuar agjencinë se ka qenë i detyruar të mbaj tatimin në burim dhe kontributet pensionale dhe i kemi dhënë një afat kohor, gjithashtu nëse nuk i përmbahet këtij afati atëherë komplet kjo lëndë do të rrethohet nga ekipa e kontrollit”, vazhdoi ai.

“Deklarimet me vonesë të cilat do të bëhen nga institucioni, për të cilat nuk i ka bërë me kohë ndëshkohet me interes”, përfundoi inspektori Ahmeti.

Dhjetëra kompani janë ndëshkuar si rezultat i raportimeve që ka pranuar KALLXO.com e më pas i ka transferuar në Administratën Tatimore të Kosovës.