Foto: KALLXO.com

Konjufca: Kadare, trasues i traditës së rilindasve

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka reaguar përmes një postimi në Facebook, pas lajmit për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare.

Konjufca ka shkruar se me vdekjen e Kadaresë, letërsia shqipe humbi kolosët e saj të veçantë, ndërsa kultura shqiptare mbeti pa ambasadorin e vet më të shquar.

“Si trasues i traditës së rilindasve, Kadare ishte një flamurtar i palëkundshëm i shqiptarizmës në prozën, poezinë dhe eseistikën e tij. Ai do të mbetet mbrojtësi më i madh i identitetit evropian të shqiptarëve. Ismail Kadare sot na la fizikisht, por ai do të jetojë në mendjen dhe shpirtin e lexuesve të tij përgjithmonë. Vepra e tij do të mbetet e pavdekshme”- ka shkruar ndër të tjera Konjufca në Facebook.

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare ka vdekur në mëngjesin e sotëm (01.7.2024) në moshën 88 vjeçare në Tiranë.

Ismail Kadare është autori më i njohur i letërsisë shqipe dhe shkrimtari më i përkthyer shqiptar në gjuhët e huaja.

Kadare u lind më 1936 në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës së Letërsisë në Universitetin e Tiranës.