Konjufca e Dendias, flasin për njohjen dhe integrimin evropian

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

Siç bëhet e ditur në komunikatën e dërguar për media, Ministri i Jashtëm Dendias dhe kryparlamentrari Konjufca kanë biseduar për raportet Kosovë-Greqi, me ç’rast ministri grek ka treguar pozicionin e vendit të tij për Kosovën.

“Ai ritheksoi qëndrimin e shtetit grek për mbështetjen e Kosovës rreth liberalizimit të vizave dhe në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Po ashtu ministri Dendias vuri në pah se qëndrimi i Greqisë karshi Kosovës ka qenë konstruktiv, duke përmendur bashkëpunimet e deritashme në fushën e zhvillimit ekonomik, të energjisë dhe kontributin e ushtarëve grekë në kuadër të KFOR-it”, thuhet në komunikatë.

Konjufca ka falënderuar për vizitën ministrin Dendias, teksa shprehu gatishmërinë dhe nevojën e thellimit të bashkëpunimit në mes të dy vendeve, si dhe dobishmërinë që do ta kishte për Republikën e Kosovës njohja nga ana e Greqisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

“Konjufca vlerësoi se fati i popujve të rajonit tonë është i përbashkët, prandaj të tilla duhet të jenë edhe qëllimet”, thuhet në komunikatë.

Gjatë takimit, po ashtu është diskutuar për interesat reciproke të bashkëpunimit në mes të dy vendeve, u diskutua edhe për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe dialogun me Serbinë.​

Ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias është duke qëndruar në vizitë zyrtare në Kosovë, ai ka zhvilluar takim me homologen e tij Donika Gërvalla, presidenten e vendit, Vjosa Osmani si dhe pritet të zhvilloj takim edhe me kryeministrin Albin Kurti.