Foto: Ilustrim

Konfiskohen 6 aparate të lojërave të fatit, arrestohet një person në Gjakovë

Policia e Kosovës ka konfiskuar 6 aparate të lojërave të fatit dhe është arrestuar një person në rrugën “Izet Hima” në Gjakovë.

Në konsultim me Prokurorin e Shtetit është bërë bastisja dhe kontrolli në lokalin ku dyshohej se ishin duke u zhvilluar lojërat e fatit.

Gjatë kontrollit në atë lokacion janë hasur gjashtë aparate APEX, të cilët janë konfiskuar dhe i dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Gjakovë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj, i cili ka njoftuar se rasti ka ndodhur sot rreth orës 18:00.

Tutje ai ka njoftuar se me urdhër të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është ndaluar për 48 orë.

Sipas njoftimit, zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Gjakovë përmes rrugëve operative kishin pranuar informatën se në lokacionin e përmendur më lart janë duke u zhvilluar lojëra të fatit.