Konferenca javore, Gjykata Speciale jep detaje lidhur me proceset gjyqësore

Gjykata Speciale në Hagë mbajti konferencën javore për media në të cilën u diskutuan zhvillimet më të fundit në Gjykatë.

Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik, dha detaje për një proces gjyqësor që po zhvillohej në një gjykatë të Kosovës dhe që do të transferohej në Gjykatën Speciale.

Sipas Griep, gjykatësi i vetëm miratoi transferimin e një procesi gjyqësor nga një gjykatë në Kosovë në Gjykatën Speciale, por më vonë Prokuroria vendosi të mos paraqiste aktakuzë për konfirmim.

“Disa parashtrime që më parë ishin protokolluar si konfidenciale, u bënë publike në bazë të një vendimi të Gjykatësit të Vetëm. Sipas njërit prej këtyre dokumenteve, më 20 janar 2020, Gjykatësi i Vetëm miratoi një kërkesë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) që një proces gjyqësor që po zhvillohej në një gjykatë të Kosovës të transferohej në DHSK. Megjithatë, pas hetimeve të kryera nga ZPS-ja, më 15 shtator 2022, ajo e njoftoi Gjykatësin e Vetëm se kishte vendosur ta mbyllte çështjen dhe të mos paraqiste aktakuzë për konfirmim”- tha Griep.

Tutje u bë e ditur se ligjërisht procedurat para Gjykatës Speciale janë konfidenciale deri sa të konfirmohet aktakuza. Megjithatë, dokumentacioni i Gjykatës u bë publik pasi procedura u mbyll.

Të mërkurën u dhanë edhe detaje tjera në lidhje me rrjedhjen e proceseve që po zhvillohen pranë kësaj gjykate.

Më 20 prill filloi dëshmia e dëshmitarit të tretë në çështjen gjyqësore të Thaçit dhe të tjerëve. Dëshmia u dha në një seancë të mbyllur për shkak të masave mbrojtëse.

Griep njoftoi se të gjitha vendimet në Dhomat e Specializuara të Kosovës janë publike, por ndonjëherë gjykatësit vendosin që të kryejnë një pjesë të seancës së gjyqit në një seancë private ose të redaktojnë disa informacione për të mbrojtur identitetin dhe sigurinë e dëshmitarëve ose viktimave, siç parashikohet në Rregulloren.

“Edhe pse dëshmia e dëshmitarit nuk dëgjohet nga publiku, të akuzuarit dhe avokatët e tyre e dëgjojnë atë dhe kanë të drejtën t’i bëjnë pyetje. Zyra e Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë të paraqesë provat në këtë çështje nga e mërkura, më 10 maj, në orën 9:00”-u bë e ditur.

Më 21 prill, Pjetër Shala dorëzoi versionin e redaktuar publik të dosjes së tij paraprake. Seanca e ardhshme për këtë çështje gjyqësore është caktuar për ditën e hënë, 1 maj, në orën 9:30. Seancat do të vazhdojnë gjatë javës, nga 1 deri në 5 maj.

Ndërkaq, më 24 prill, një vendim i datës 10 mars, i cili më parë ishte konfidencial, u bë publik. Ky vendim kishte të bënte me miratimin e një vizite të Hysni Gucatit në Kosovë për arsye humanitare bindëse, të kryer më 15 mars 2023.

Po ashtu, u publikua një parashtrim lidhur me një kërkesë për lirim me kusht të paraqitur nga Nasim Haradinaj, si dhe një vendim që njofton se kërkesa më vonë u tërhoq.