Komuna e Skenderajt ia jep me qira për 200 euro në muaj pronën komunale gruas së zyrtarit të PDK-së

Objekti i cili dikur ishte në shërbim të qytetarëve të Skenderajt për nevoja stomatologjike dhe një pjesë për pediatri, iu është dhënë me qira në vlerë rreth 200 euro, gruas së anëtarit të PDK-së në këtë komunë Blerim Fazliu. Ky objekt, të cilin nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare e ndan rruga, nuk ka qenë funksional që kur është përuruar objekti i ri në vitin 2017 dhe si rrjedhojë këto shërbime janë bartur atje.

Naime Shabani – Fazliu është gruaja e Blerim Fazliut, i cili njëkohësisht është infermier në QKMF e Skenderajt. Ai është edhe kryetar i nëndegës së Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj – parti kjo e cila udhëheq me këtë Komunë.

Nga Komuna thonë se objekti është pronë publike dhe se nuk është në pronësi të QKMF-së.

Për 132 metra katror, Naime Shabani – Fazliu do të paguajë 198 euro në muaj. 

Këtë çmimore Komuna e Skenderajt e ka bazuar në bazë të rregullores për Taksa, Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba.

Saktësisht, janë thirrur në nenini 10.3.4 të kategoria për pagesa të qirasë për shfrytëzimin e pronës komunale, ku thotë se në zonën qendër, qiraja për shfrytëzimin e lokaleve afariste është 1.50 euro metri katror në muaj.

 

Në gjithë këtë proces, Komuna e Skenderajt për KALLXO.com e ka mohuar se ka pasur ndikim politik.

Sipas tyre, dhënia e pronës është bërë në procedura të plota ligjore.

“Dhënia e pronës në shfrytëzim është bërë në procedurë të plotë ligjore, vlerësuar edhe nga Komisioni përkatës dhe asnjë ndikim politik nuk ka pasur në këtë rast” – ka thënë Amir Lushtaku, zëdhënësi i Komunës së Skenderajt.

Në anën tjetër, zyrtari i PDK-së, Blerim Fazliu nuk ka pranuar që të deklarohet për këtë çështje duke orientuar KALLXO.com që të kontaktojë me pronaren. 

Ai ka instituar duke thënë se kjo çështje nuk ka të bëjë me të e as me politikë.

“S’keni çka mem thirrë mua për këtë punë, se s’ka çka të bëjë me të. Folni me pronarin. Nuk ka lidhje kjo punë me politikë. Pronat në Skenderaj jepen për qytetarët e Skenderajit” – u shpreh Fazliu.

KALLXO.com ka provuar që të kontaktojë me Naime Shabani – Fazliu që nga 24 nëntori por e njëjta nuk ka qenë e qasshme deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Në anën tjetër, ushtrues i detyrës së drejtorit të QKMF-së, Bashkim Nura ka deklaruar për KALLXO.com se që nga viti 2017 kur është përuruar objekti i ri i QKMF-së, ky objekt ka mbetur i pafunksionalizuar. 

Së fundmi thotë se është përdorur gjatë situatës me COVID-19. 

“Objekti që është dhënë me qira, ka qenë një kohë për COVID, por në funksion një pjesë nuk ka qenë, sepse me ndërtimin e objektit të ri të QKMF-së tash e mbi 7 vjet pothuajse, shërbimet kryhen në objekt të ri. Ai objekt s’ka qenë në funksion më” – ka deklaruar Nura.

Procedurat për dhënien e kësaj prone publike

Më muajin korrik 2022, Naime Shabani – Fazliu në emër të barnatores “NDona Shpk” iu ishte drejtuar kryetarit Fadil Nura me një kërkesë zyrtare ku e kishte kërkuar hapësirën në fjalë.

Në kërkesë kishte cekur se objekti i cili është “plotësisht jashtë funksionit” po i duhet për ta zhvilluar biznesin familjar.

“Kërkesën e bazoj në faktin se hapësira në fjalë është e pashfrytëzuar dhe plotësisht jashtë funksionit dhe si e tillë, krahas nevojës do të më krijonte mundësinë që ta zhvillojë biznesin familjar. Gjithashtu zotohem të marrë obligimet për pagesën e qirasë dhe shpenzimeve tjera ligjore” – thuhet në kërkesën që KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike drejtuar Komunës së Skenderajt.

Më pas, drejtoria e Shëndetësisë më 22 gusht 2022 i kishte konfirmuar përmes një letre te komisioni për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme në afat deri në një vit, duke i thënë se nuk është duke u shfrytëzuar për nevojat e QKMF-së.

“Objekti me nr. O-72015063-00047-0-22-1-3-0 i cili është pronë e Qendrës Kryesore të Mjekësisë në Skenderaj nuk është duke u shfrytëzuar për nevojat e QKMF-së, pasi që kemi hapësirë të mjaftueshme për momentin”  – thuhet në shkresës e Drejtorisë së Shëndetësisë së Skenderajt.

Përmes një raporti përfundimtar më 25 gusht 2022 komisioni për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme në afat deri në një vit, i cili është i përbërë nga tre anëtar, e kishte dhënë “aminin” që objekti të lejohet t’i jepet në shfrytëzim deri në një vit subjektit ‘NDona Shpk’.

Komuna e Skenderajt dhe “NDona Sh.p.k” e nënshkruan kontratën më 5 shtator 2022.

Sipas kontratës, palët janë pajtuar që afati i shfrytëzimit të pjesës së ndërteses të jetë 360 nga dita e nënshkrimit të kontratës. 

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë se Agron Mehmeti, ish-kandidati për asamble të Komunës së Skenderajt nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), është vendosur përkohësisht në krye të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).

Agron Mehmeti është shkarkuar tash e një muaj nga kjo pozitë. I njëjti nuk ka pranuar që të deklarohet për këtë çështje.

Ushtrues detyre i drejtorit të QKMF-së në Skenderaj akutalisht është Bashkim Nura i cili vjen nga fshati i kryetarit Fadil Nura.

Pushimi vjetor ‘mollë sherri’, QKMF në Skenderaj sot me ‘tre drejtorë’