Komuna e Rahovecit kërkon ndihmën e Qeverisë pas përmbytjeve nga shiu

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka kërkuar përkrahjen e Qeverisë së Kosovës pas përmbytjeve që janë shkaktuar në këtë komunë nga reshjet e shiut.

“Si Kryetar i Komunës shpreh shqetësimin tim për situatën e krijuar dhe kërkoj ndihmë nga Qeveria për ta tejkaluar më lehtë gjendjen momentale, e për t’i kompenzuar dëmet e mëdha të cilat do të dihen pas vlerësimit nga ana e komisioneve tona, të cilat do t’i evidentojnë ditëve në vijim”-thuhet në një publikim të Latifit në Facebook.

Sipas kryetarit, komuna e Rahovecit është duke u përballur me vërshime që nga orët e hershme të mëngjesit dhe se gjendja është e rënduar.

“Përmbytjet nga ujërat dhe pasojat që kemi në shtëpi banimi, ekonomi familjare, biznese, hapësira dhe objekte publike, bujqësi etj. i kemi parë nga afër në shumë zona të komunës sonë, posaçërisht, në: Fortesë, Sapniq, Ratkoc, Malësi e Vogël, Gexhë, Celinë, Xërxë, Dejnë, Krushë e Madhe, Nagac, Çifllak, Hoçë e Vogël, Dobidol …etj”- thuhet në këtë publikim.

Kryetari ka paralajëmruar formim të komisioneve të cilat do ta bëjnë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut.

“Me vendimin tim do të formohen komisione të veçanta të vlerësimit, të cilat do të regjistrojnë dëmet e mëdha si në: amvisëri, ekonomi të shumta familjare e biznese, bujqësi dhe infrastrukturë publike. Po bëjmë krejt çka është e mundshme si komunë, e pas hartimit të raporteve të vlerësimit, do të kërkojmë nga institucionet qendrore në Prishtinë përkrahje direkte për mbulimin e dëmeve”-thuhet më tej në publikimin e tij.

Në njoftimin e kryetarit është vendosur edhe numri i zjarrfikësve, në të cilin mund të telefonojnë të gjithë qytetarët në rast se kanë emergjencë.

Ky është numri emergjent: *029-277-555- Njësia e zjarrfikësve-Rahovec

Vërshime në Gjakovë dhe Rahovec

Të reshurat ndotin ujin në disa fshatra në Gjakovë dhe Rahovec, banorët luten të mos e përdorin për pije