Komuna e Prishtinës mendon për rifunksionalizimin e Qendrës së Kulturës në Hajvali 

Komuna e Prishtinës është duke shikuar mundësitë për rifunksionalizimin e Qendrës së Kulturës në Hajvali. Për këtë qëllim nënkryetari i kësaj komune, Selim Pacolli, dhe drejtoresha për Kulturë, Blerta Basholli, e kanë vizituar objektin e e braktisur vite më parë të kësaj qendre. 

Blerta Basholli ka shkruar me Facebook se e kanë vizituar objektin për të parë mundësitë e rifunksionalizimit të kësaj qendre mjaft të nevojshme për komunitetin e Hajvalisë. 

“Fillimisht do të bëhet vlerësimi i qëndrueshmërisë së ndërtesës ekzistuese, për të vazhduar pastaj edhe me projektin kryesor për rifunksionalizimin e Qendrës”, ka shkruar Basholli. 

Objekti aktual i Qendrës Kulturore të Hajvalisë është në gjendje të keqe por për renovimin e këtij objekti, Komuna e Prishtinës ka ndarë 150,000 euro për këtë qendre për këtë viti.