Foto: Facebook / Komuna e Drenasit

Komuna e Drenasit ndau subvencione për 10 OJQ që nuk dëshmuan nëse janë nën hetime

Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA) ka gjetur se Komuna e Drenasit ka ndarë subvencione për dhjetë OJQ edhe pse në dosjet e tyre mungonin dëshmitë se personi përgjegjës në organizatë dhe menaxheri i projektit nuk janë nën hetime për vepra penale.

Kjo ka ndodhur në një thirrje publike të datës 7 maj 2020 për ofrimin e mbështetjes financiare për fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.

Sipas raportit të vitit 2020, kjo gjendje kishte ardhur si pasojë e asaj se kriteri lidhur me provat për veprat penale ishte kërkuar pas nënshkrimit të kontratës.

Ndërsa kjo është dashur të kërkohej para nënshkrimit të kontratës me përfituesit e subvencioneve.

Auditori ka konstatuar se mungesa e dokumenteve për përmbushjen kritereve në procesin e vlerësimit të aplikantëve, përveç që mund të dëmtojë kredibilitetin e procesit, mund të rezultojë që komuna të bashkëpunon me OJQ/individë të papërshtatshëm.

“Kryetari, duhet t’i forcojë kontrollet mbi menaxhimin e subvencioneve dhe të siguroj që, fillimisht, kriteret e vendosura në thirrjet publike hartohen konform kërkesave dhe udhëzuesve të nivelit qendror dhe atij lokal që rregullojnë këtë fushë. Pastaj, të siguroj se subvencionet ndahen në përputhje me kriteret e vendosura në thirrje publike”, thuhet në raportin e ZKA-së për Komunën e Drenasit.