Komisioni hetimor ofron mundësi për dorëzimin e dëshmive nga qytetarët lidhur me procesin e privatizimit

Komisioni hetimor sot ka publikuar mundësinë e dorëzimit të dëshmive nga qytetarët lidhur me procesin e privatizimit.

Kryesuesi i Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen e privatizimit në Kosovë, Hajrulla Çeku tha se Komisioni ka vendosur të hapë një dritare komunikimi me palët e treta, duke i ftuar të gjithë që kanë dëshmi të vlefshme që do të ndihmojnë punën hetimore që ato t’i dorëzojnë zyrtarisht.

Komisioni ka ofruar dy mundësi për dorëzimin e dëshmive nga qytetarët, e para përmes formës fizike në adresë të Kuvendit të Kosovës, për vëmendjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen e privatizimit në Kosovë, dhe e dyta, përmes adresës elektronike në [email protected].

Çeku tha se gjatë kësaj faze fillestare, Komisioni ka miratuar grupin e parë të dëshmitarëve, ndërsa intervisimet do të nisin nga 12 tetori.

“Në grupin prej gjithsej 21 dëshmitarëve, bëjnë pjesë ish-ministra përgjegjës për privatizimin, ish-kryesues dhe anëtarë të Bordeve të AKM-së dhe AKP-së, drejtorë dhe ish-drejtorë menaxhues, si dhe ish-zyrtarë të UNMIK-ut, përgjegjës për privatizimin. Në grupin e dytë të dëshmitarëve do të jenë pronarët e kompanive që kanë privatizuar ndërmarrjet shoqërore, ekspertë, gazetarë, ish-punëtorë dhe të tjerë që do të vlerësohen nga anëtarët e Komisionit“, kishte thënë Çeku, thuhet në komunikatë.

Ai shtoi se Komisioni ka angazhuar katër ekspertë të jashtëm, të cilët do të ndihmojnë në punën hetimore, ndërsa një numër i madh i dokumenteve dhe provave nga AKP-ja dhe institucionet e tjera, janë grumbulluar deri në këtë moment.

Tutje, ai tha se komisioni nuk ka mandat të ofrojë zgjidhje për rastet individuale të kontesteve, por këto raste mund t’i konsiderojë si dëshmi eventuale që ndihmojnë punën hetimore dhe raportin përfundimtar.