Komisioni hetimor interviston menaxhmentin e KOSTT-it për periudhën 2006-2008

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 intervistoi sot menaxhmentin e KOSTT-it për periudhën 2006-2008.

Të thirrur në intervistim ishin, ish-kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it në atë kohë, Fadil Isamili; Kimete Fazliu – ish-sekretare e bordit; Nebi Haziri – ish-drejtor financiar dhe ish-zyrtari përgjegjës për prokurim.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka kërkuar nga anëtarët e komisionit që pyetjet drejtuar të intervistuarve të jenë në nivel dhe jopersonale.

“Unë personalisht asnjërin prej tyre nuk e njoh, kam mundur t’i takoj vetëm në ndonjë televizion. Por ta ruajmë dinjitetin dhe nivelin e pozitës së deputetit, që pyetjet të mos i adresojmë në atë personale dhe të dukemi si prokuror të shtetit. Të mos lëshohemi në disa nisa nivele që njerëzit t’i mos i vendosim në pozitë të keqe” – tha Zemaj.

Gjatë intervistimit të të ftuarve, ata u pyetën për importin e energjisë elektrike gjatë periudhës 2006-2008 dhe ndarjen nga Korporata Energjetike e Kosovës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja pyeti për kompanitë nga të cilat Kosova ka importuar energji elektrike në atë kohë.

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike ishte propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje pas kërkesës nga opozita për themelimin e një tjetër komisioni hetimor që të hetohen vendimet e qeverisë Kurti në kohën kur vendi ishte përballur me krizë energjetike në dhjetor të vitit të kaluar.

Të dy komisionet hetimore ishin votuar në Kuvend në maj të këtij viti.