Kjo është përqindja e përfaqësimit të grave në institucionet lokale të Kosovës

Raporti i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) tregon se sipas të dhënave të raportuara nga 33 komuna, niveli i të punësuarve nga gjinia femërore në institucione/administratë komunale është 100 për qind e kriterit gjinor 50/50.

Sipas raportit të performancës së komunave, 49% e komunave dokumentuan të hartuar planin për barazi gjinore.

Sa i përket pozitave politike, nga 475 pozita në kuadër të ekzekutivit komunal në 32 komuna, 135 janë raportuar të jenë gra e vajza, apo 56.84% e kriterit ligjor.

Përqindja e përfaqësimit në trupat e kuvendeve komunale është 91.96% e kriterit.

Sipas të dhënave të përfaqësimit të grave/vajzave në pozitat udhëheqëse në institucionet arsimore, shëndetësore dhe kulturore/sportive, nga 1,619 pozita udhëheqëse, 475 prej tyre udhëhiqen nga gratë/vajzat, apo 59.54% e kriterit ligjor.

Raporti shpalos se përfaqësimi gjinor në këshillat lokalë është tejet i ulët dhe shumica dërrmuese e komunave nuk kanë asnjë grua që udhëheq këta këshilla, pra vetëm 10.11%.

Kjo edhe duke marrë për bazë që 12 komuna nuk kanë raportuar t’i kenë të themeluara këshillat lokale.

Përfaqësimi gjinor matet më gjerësisht në këtë fushë duke përfshirë qasjen e të dy gjinive në programet për zhvillim social, ekonomik, si dhe në aktiviteteve komunale. Po ashtu, treguesit matin shkallën e përfaqësimit të të dy gjinive në institucionet lokale, trupat e kuvendeve komunale etj.

Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë LINK