Foto: Ministria ukrainase e Mbrojtjes / Facebook

Kievi thotë se nga diga e shkatërruar janë shkaktuar 1.5 miliard dollarë dëme

Kievi tha se shkatërrimi i digës Kahovka, në zonën e kontrolluar nga rusët në jug të Ukrainës, ka shkaktuar dëme në mjedis në vlerë prej 1.5 miliard dollarë.

Diga u shkatërrua më 6 qershor dhe shkaktoi dëme shkatërruese në rajonin e Hersonit, si në pjesën që kontrollohet nga rusët, ashtu edhe në atë që kontrollohet nga ukrainasit. Si pasojë e vërshimeve, mijëra persona u detyruan të evakuoheshin dhe u rrit frika për një fatkeqësi mjedisore.

Kievi e ka akuzuar Moskën për “eko-cid” duke thënë se Rusia e ka hedhur në erë digën e epokës sovjetike në lumin Dnjepër, ndërkaq Rusia ka akuzuar Ukrainën për shpërthimin e digës.

“Çdo ditë Rusia po shkakton dëme të reja ndaj Ukrainës”, tha kryeministri ukrainas, Denys Shmygal, gjatë një konference të mbajtur në Londër për rindërtimin e Ukrainës.

Ai tha se kostoja e përgjithshme për rindërtimin e Ukrainës – që po përballet me pushtimin e paprovokuar rus që nga shkurti i kaluar – sipas vlerësimeve të Bankës Botërore është 411 miliardë dollarë. Sipas tij, kjo shifër “do të rritet, veçmas pas shkatërrimit nga Rusia të digës Kahovka”.

Kryeministri ukrainas tha se “vlerësimet e paraprake” thonë se dëmet mjedisore të shkaktuara nga shkatërrimi i digës arrijnë në vlerën prej 1.5 miliard dollarë. Në këtë shifër, sipas tij, nuk përfshihen “dëmet në bujqësi, infrastrukturë, ekonomi familjare dhe rindërtimin e digës”./ REL