Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

KFOR për sulmin në veri: Vëzhguam nga afër dhe ishim të gatshëm të përgjigjeshim nëse kërkohej

Misioni i NATO-s në Kosovë ka deklaruar se trupat e KFOR-it ishin të gatshëm të ndërhynin nëse kërkohej, pas sulmit terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në një komunikatë për media, KFOR-i ka thënë se ishin të pranishëm në zonë duke vëzhguar afër situatën.

“Trupat e KFOR-it ishin të pranishëm në zonë. Ata vëzhguan nga afër situatën dhe ishin të gatshëm të përgjigjeshin, nëse kërkohej. Gjatë gjithë kohës, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i kanë vepruar në koordinim të ngushtë, respektivisht si reagues i parë, i dytë dhe i tretë”- thuhet në njoftim.

Tutje, sipas njoftimit, komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të rregullt me të gjitha palët e interesuara, përfshirë EULEX-in, përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave të sigurisë së Kosovës, si dhe shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë.

“Përmes KFOR-it, NATO gjithmonë do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999”- thuhet në komunikatë.

Po ashtu, KFOR-i ka deklaruar se do të vazhdojë të ofrojë kornizën e sigurisë të nevojshme që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara.

Sipas tyre, dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.