Kurti në Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit: E vërteta për të me siguri ndodhet në arkivat e Beogradit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar Shtëpinë Muze në Krushë të Madhe të Rahovecit, të veprimtarit të zhdukur tash e 25 vjet – Ukshin Hotit, me rastin e ditëlindjes së 81-të të tij.
Kurti shprehu nderimet më të larta dhe mirënjohjen për jetën dhe veprën e profesor Ukshin Hotit.
“Ashtu qysh rikthehemi në Krushë të Madhe për çdo ditëlindje dhe sa herë që mundemi ndërmjet ditëlindjeve, gjithashtu e rilexojmë veprën e bacës Ukë, sepse ajo është përherë aktuale dhe flet për kohën tonë jo më pak se sa për kohën kur ai shkroi, studioi, punoi, jetoi e veproi”- tha Kurti.
Kryeministri tha se shteti serb është përgjegjës për zhdukjen e Ukshin Hotit.
“E vërteta për profesor Ukshin Hotin me siguri ndodhet në arkivat e Beogradit” tha ai, teksa rikujtoi se Ukshin Hoti është zhdukur pas lirimit nga burgu, në maj të vitit 1999.
“Prandaj, ata që janë fajtorë, ata që janë përgjegjës, ata e kanë edhe arkivën e zhdukjes së profesor Ukshin Hotit”- shtoi kryeministri.
Ai nënvizoi dhe se tashmë është një Komision me vendim të Qeverisë, që do ta bëjë ribotimin e veprës së plotë të Ukshin Hotit, dhe njëkohësisht do të botojë edhe tekste, dokumente të pabotuara deri më tani, duke rikujtuar që një pjesë e konsiderueshme e teksteve janë djegur atëherë kur është djegur kjo shtëpi e cila sot është Shtëpi Muze.
“Populli i Kosovës jeton i lirë, i pavarur, kemi shtetin tonë, Republikën e Kosovës, Republikën për të cilën edhe në kuptimin teorik edhe në aspektin praktik ka bërë aq shumë Ukshin Hoti dhe kriminelët kanë ikur, ndërkaq pasardhësit e Ukshin Hotit edhe biologjik edhe politik ja ku janë, ja ku jemi bashkë” – tha Kurti.
Kurti shkroi edhe në librin e kujtimeve të Shtëpisë Muze.
“Rikthehemi në ditëlindjen e prof. Ukshin Hotit, për çdo vit në Krushë të Madhe, dhe, sa herë që mundemi ndërmjet ditëlindjeve. Rikthimi në Krushë të Madhe dhe rileximi i veprës së Ukshin Hotit janë detyrë kombëtare dhe qytetare dhe njerëzore për secilin dhe të gjithë. Shtëpia Muze është vend i lavdisë historike shqiptare të mendimit të thellë politik dhe të një jete të jetuar denjësisht” – shkroi kryeministri.
Ukshin Hoti, profesor, aktivist e intelektual u zhduk më 16.05.1999, në luftën e fundit në Kosovë.
Në 25-vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit, djali i tij publikon një letër të shkruar nga i ati