Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

KFOR: Dialogu, mjeti i vetëm për të arritur një stabilitet të qëndrueshëm

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se vazhdojnë të mbështesin dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, për të cilin kanë thënë se është mjeti i vetëm për të arritur një stabilitet të pakthyeshëm dhe të qëndrueshëm dhe për të zbutur tensionet në veri të Kosovës.

Tutje është njoftuar se mbetet në kontakt dhe koordinim të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit vendorë dhe ndërkombëtarë.

Këtu KFOR ka përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë, UNMIK-un, OSBE-në, EULEX-in dhe Shefin e Mbrojtjes së Serbisë.

“KFOR-i mirëpret të gjitha përpjekjet shumëkombëshe të ndërmarra për të rikthyer të dyja palët në tryezën e negociatave dhe fton të gjitha palët që të bashkohen drejt de-përshkallëzimit dhe të përmbahen nga veprimet provokuese që janë kundër interesave të të gjithë njerëzve në Kosovë” – tha KFOR.

Në njoftim thuhet se misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO mbetet vigjilent dhe plotësisht i aftë për të përmbushur mandatin e tij për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999.

Që nga 26 maji, qytetarët serbë në veri të vendit janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur më 23 prill 2023, nëpër objektet komunale në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.

Gjatë protestave rreth 30 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të plagosur dhe lënduar. Po ashtu u raportua edhe për dhjetëra protestues të lënduar. Të lënduar gjatë këtyre ditëve pati edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Me lëndime trupore përfunduan edhe gazetarë të mediave të ndryshme, të cilët që nga fillimi i protestave janë sulmuar disa herë gjatë raportimeve të tyre nga kjo zonë.

Disa vetura të mediave, e edhe të Policisë së Kosovës u thyen e u djegën.

Për sulmet që u bënë në drejtim të gazetarëve e të KFOR-it deri më tani janë arrestuar disa persona.

Më 14 qershor 2023, Policia e Kosovës kishte konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues ishin kidnapuar nga autoritetet serbe brenda territorit të Kosovës.

Një qëndrim tjetër për këtë rast pati Serbia. Nga ky vend u tha se policët nuk janë kidnapuar, por janë arrestuar brenda territorit serb.

Tre policët e Kosovës për 10 ditë u mbajtën në një qendër paraburgimi në Kralevë të Serbisë.

Gjykata e Lartë në Kralevë, më 16 qershor kishte marrë vendim për masën e paraburgimit prej 30 ditëve ndaj policëve të Kosovës, mirëpo të njëjtëve më pas iu ndërpre paraburgimi më 26 qershor, e po të njëjtën ditën policët u kthyen në Kosovë.