Qeveria Kurti II

Këto janë masat e reja që u votuan sot

Qeveria e Kosovës me propozim të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia ka miratuar masat e reja kufizuese për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Mësimi në gjithë vendin është shtyrë deri më 13 shtator ndërsa është rikthyer edhe ora policore nga 22:00 deri në 05:00 të mëngjesit.

“Në koordinim me ISHKPK-në dhe institucionet tjera, kemi ardhur në përfundim që masat e reja janë të domosdoshme. Situata paraqet një ngritje enorme me COVID-19. Qeveria ka ndërmarrë masa kufizuese me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit”, tha Vitia.

“Në koordinim me Ministrinë e Arsimit, jemi dakorduar që procesi arsimor të shtyhet deri më datën 13 shtator, marrë parasysh që janë shtuar rastet simptomatike edhe te fëmijët e moshës 0-10 vjeçare, e sidomos ata 10-20 vjecare. Kjo grup moshë po paraqitet edhe si shpërndarës i infeksionit”, deklaroi ai të shtunën gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Kufizime do të kenë edhe të gjithë ata që hyjnë në kufijtë e Kosovës.

“Tani, të gjithë qytetarët, pavarësisht shtetësisë, janë të obliguar që në pikat kufitare hyrëse të paraqesin dokumente përkatëse siç janë, dëshminë e vaksinimit, testin real time negativ në 72 orët e fundit apo testin serologjik jo më të vjetër se 30 ditë, në të kundërtën, duhet të plotësojnë formuluan nën betim dhe të vetëizolohen për 7 ditë”, tha Arben Vitia.

Gastronomia do të punoj vetëm në ambiente të hapura, ndërsa, pas datës 13 shtator, punonjësit e sektorit publik duhet të prezantojnë vërtetimin për vaksinim kur të kthehen në punë.

“Gastronomia do të punoj vetëm në ambiente të hapura, dhe atë deri në orën 21:30 si dhe masën e kufizimit për qytetarët pas orës 22:00. Të gjitha institucionet publike dhe private janë të obliguara të punojnë vetëm  me staf esencial deri më datën 13 shtator, me qëllim të ruajtjes së shëndetit publikë, pas kësaj date, punonjësit e institucioneve publike, të ndërmarrjeve publike, duhet të posedojnë një nga dëshmitë, si certifikata e vaksinimit apo testet përkatëse në mënyrë që të u lejohet hyrja në ambientet e punës”, deklaroi Vitia.

Vitia paralajmëroi se kjo masë do të zgjerohet edhe në sfera të tjera.

“Kjo masë gradualisht do të përfshijë edhe shumë sfera të tjera të jetës ekonomike dhe sociale”, tha ai.

Këto masa pritet të hyjnë në fuqi që nga dita e nesërme.