Këshilltari i Thaçit reagon për kërkesën e Konjufcës për shkarkim të ambasadorëve

Këshilltari i Presidentit të Kosovës, Artan Behrami ka reaguar lidhur vendimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca për shkarkimin e ambasadores së Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku.

Behrami përmes një postimi e ka quajtur Çitakun, ambasadoren më të mirë që ka vendi, dhe që sipas tij, atë që dështoi ta bëjë për shumë vite ministri serb, Ivica Daçiq, po bënë sot Konjufca.

“Atë që dështoi ta bëjë ministri serb, Ivica Daçiq, tash e shumë vite në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e bëri sot ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, përmes një tentimi për të larguar ambasadoren më të mirë që ka Republika jonë”, ka shkruar këshilltari i Thaçit në Facebook.

Ai ka shkruar se Çitaku për një kohë të gjatë ka “fituar çdo betejë kundër ministrit serb, Daçic, i cili, më shumë se kushdo tjetër në botë, kërkon zëvendësimin e saj”.

Nga zëdhënëse e PDK-së në Ambasadore në SHBA, rrugëtimi i Vlora Çitakut

Gjithashtu ai ka reaguar edhe per ambasadorin tjetër të shkarkuar, Ylber Hysën.

“Kërkesë e njëjtë skandaloze është edhe ajo për ambasadorin Ylber Hysa, ndër njohësit më të mirë të rajonit dhe kontribuues në shumë procese shtetformuese në Kosovë. Të tilla janë edhe kërkesat për tërheqjen e ambasadorëve të tjerë”, ka shkruar këshilltari i Thaçit.

“Politika e Jashtme e Kosovës duhet të orientohet në koordinimin e veprimeve me partnerët strategjikë të Kosovës për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar dhe për të përmbyllur anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar”, thuhet më tej.

Nga zëdhënëse e PDK-së në Ambasadore në SHBA, rrugëtimi i Vlora Çitakut

Kush është Edon Cana, ambasadori i shkarkuar nga Glauk Konjufca?