Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku - Foto: KALLXO.com

Nga zëdhënëse e PDK-së në Ambasadore në SHBA, rrugëtimi i Vlora Çitakut

Duke qenë pjesë e strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku mbajti pozita të rëndësishme në qeveritë e Kosovës, ndërsa së fundi u bë figurë e rëndësishme në përfaqësimin e Kosovës në ShBA. Qeveria e re e ka lëkundur pozitën e Çitakut.

Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca propozoi tërheqjen e Vlora Çitakut nga posti i ambasadores së Kosovës në SHBA.

Emri i Çitakut ka qenë i përfshirë në skandalin për njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Xhamajka dhe në aferën e njohur si “Pronto”, ndërsa qeveritarë jashtë PDK-së shpeshherë e kanë akuzuar se qëndron prapa interesave të Presidentit Hashim Thaçi, para përfaqësimit shtetëror në ShBA.

Megjithatë, ambasadorja ka qenë e vlerësuar për përfaqësimin në ShBA dhe sidomos për fjalimet në Këshillin e Sigurimit ku asaj iu desh të përballet me Ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

Në fund të muajit shkurt, në Kosovë u shpërnda lajmi se pavarësinë e njohu edhe Xhamajka.

Presidenti Thaçi kishte deklaruar se nga ambasadorja Çitaku ka marrë lajmin për njohjen nga Xhamajka, mirëpo i menjëhershëm ishte reagimi i përfaqësuesve të këtij shteti, i cili tha që ky lajm nuk është i vërtetë.

Ambasadorja Çitaku nuk u deklarua për këtë lajm duke thënë se sqarimet do të vijnë më vonë, mirëpo të mërkurën ajo së bashku me presidentin Thaçi  takuan të dërguarin e Presidentit Donald Trump për Ballkanin Perëndimor, Mat Palmer dhe zëvendëspresidentin ekzekutiv të Atlanti Council, Damon Wilson.

Ish-Kryeministri, Ramush Haradinaj e kishte konsideruar Çitakun ‘ambasadore të Thaçit’.

“Janë prej Kosovës që po shkojnë po thonë “thuaja qita e hekë taksë”, merre me mend, ambasadorja nuk është e Kosovës, është ambasadore e Hashim Thaçit, nuk e përfaqëson Kosovën fatkeqësisht. Janë një rreth i “pshtjellanave” të këtij vendi që po na marrin në qafë e po shkaktojnë përqarje”, ka thënë Haradinaj.

Ndaj kësaj kishte reagur Çitaku me një postim në Facebook.

“Unë jam Ambasadore e Kosovës. Dhe Ramush Haradinaj është Kryeministri im. Të jem Ambasadorja e juaj ne Uashington DC është nderi i jetës sime”.

Emri i Çitakut ishte përfshirë edhe në aferën ‘Pronto’. Përgjimet e publikuara në vitin 2012 kishin bërë që Çitaku të mos dilte një javë nga shtëpia.

Në një intervistë për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, ajo tha se përfshirja në atë skandal ishte njëri nga momentet më të vështira për të.

“Ka pasur momente kur më ka ardhë marre prej nanës. Ajo ka qenë një nga momentet. Unë një javë nuk kam dalur prej shtëpisë. Ndonëse asgjë në atë bisedë nuk është as komprementuese, as shkelje e ligjit megjithatë konteksti në të cilën është plasu më ka bërë të ndihem shumë jo komode”, tha Çitaku.

KALLXO.com kishe raportuar edhe për biletën mbi 6 mijë euro për udhëtimin në SHBA të Vlora Çitakut pavarësisht zotimit të saj se do të udhëtonte në klasën ekonomike.

Por kush është Vlora Çitaku?

Ambasadorja Çitaku kishte përfunduar studimet për Filozofi në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet master i ka përfunduara në vitin 2007 në gazetari në Institutin e Kosovës për Gazetari dhe Komunikim.

Angazhimin e saj politik, Çitaku e ka filluar në PDK vitet 1999-2000 në qeverinë  e përkohshme, si zyrtare e protokollit të Qeverisë si dhe zëdhënëse e PDK-së.

Çitaku kishe siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës që nga viti 2007 deri në vitin 2010 si deputete e PDK-së.

Në vitin 2007 Çitaku ishte angazhuar si udhëheqëse për komunikim e grupit për bisedime të procesit të Ahtisarit.

Përpara se të bëhej ambasadore, Çitaku kishte qenë ministre e Punëve të Jashtme  gjatë viteve 2007 deri në vitin 2009 ndërsa nga viti 2009 deri në vitin 2010 kishe qenë Ministre në detyrë e Punëve të Jashtme.

Ndërsa nga viti 2010 deri në vitin 2014 ishte ministre e Integrimeve Evropiane.

Nga viti 2013 deri në vitin 2014, Çitaku kishte qenë kryenegociatore për Marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit.

Ndërsa ambasadore e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ishte emëruar më 6 janar të vitit 2015.

Sa është e pasur Vlora Çitaku?

Në deklarimin e pasurisë për vitin 2019, Çitaku kishte thënë që e vetmja pozitë është ajo e ambasadores së Kosovës në SHBA.

Çitaku si pasuri të paluajtshme ka deklaruar tri banesa në vlerë prej 165 mijë eurove të cilat kanë hapësirë prej 199 metrave katrore.

Ish- ambasadorja nuk ka deklaruar se posedon ndonjë letër me vlerë, përderisa në bankën ‘Raiffeisen Bank’ posedon 5 mijë e 744 euro ndërsa në ‘City Bank’ ajo ka deklaruar 500 dollarë.

Vlora Çitaku si pagë të ambasadores ka deklaruar 3 mijë e 559 euro.

Në deklarimin e saj, Çitaku kishte shtuar se në korrik të vitit 2018 ka blerë një banesë personale nga kursimet personale dhe kredia e marrë në bankë në vlerë prej 50 mijë eurove.

Por, sipas saj për shkak se  objekti është në ndërtim e sipër, ende nuk  ka letër poseduese si dhe banesa do të ndërtohet në fund të vitit 2020.