Këshilltari i Thaçit: Hoti nuk e përfaqëson as fshatin e tij në Bruksel, s’u koordinua me Presidentin

Këshilltari i Presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj ka kritikuar Kryeministrin Avdullah Hoti, i cili sot do të takohet në Bruksel me Presidentin  e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Behramaj ka deklaruar se Hoti ka shkuar në Bruksel pa mandat të Kuvendit dhe pa unitet dhe konsensus politik.

“Avdullah Hoti nuk mund ta përfaqësojë as LDK-në, se lëre më Kosovën. Si i vetëm nuk e përfaqëson dot as fshatin e tij!”, ka shkruar ai në Facebook.

Behramaj, ka theksuar tutje se Kryeministri nuk është koordinuar as me Presidentin lidhur me këtë takim.

“Që nga 24 qershori kur u anulua takimi i Uashingtonit për shkak të publikimit të çuditshëm të propozim-aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Avdullah Hoti nuk e ka thënë as një fjalë të vetme në përkrahje të presidentit, ndonëse ai gjeti kohë ta uronte edhe Liverpoolin. Edhe pse distanca në mes Zyrës së Presidentit dhe Zyrës së Kryeministrit nuk është as 50 metra, ai nuk e mori mundin më asnjëherë që të vinte dhe ta takonte. Jo vetëm për t’u koordinuar, por as për ta shprehur një solidaritet krejtësisht njerëzor!”, thuhet mes tjerash në publikimin e tij.

Vazhdimi i dialogut në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është paraparë të fillojë sot nga ora 16:00.

Në njoftimin e Bashkimit Europian është bërë e ditur se nikoqir i takimit, do të jetë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vazhdon sot, në ditën e katërt me radhë, t’u përgjigjet pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Prokuroria e Specializuar ka ngritur aktakuzë ndaj Thaçit, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli dhe disa ish-luftëtarëve të UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Më poshtë  e gjeni të plotë reagimin e Adil Behramaj në Facebook:

A e dini kush pse ka shkuar sot Avdullah Hoti në Bruksel dhe çfarë po kërkon atje? Pa mandat të Kuvendit. Pa unitetit dhe konsensus politik. Pa platformë të dialogut. Pa transparencë publike. Pa grupin e ekspertëve. Pa koordinim dhe pëlqim të partnerëve qeverisës.

Avdullah Hoti nuk mund ta përfaqësojë as LDK-në, se lëre më Kosovën. Si i vetëm nuk e përfaqëson dot as fshatin e tij!

Në ditën kur presidenti i vendit po intervistohet për shpifjet e regjimit serb, Avdullah Hoti ka zgjedhur t’i zgërdhihet Vuçiqit në Bruksel. Ky paska qenë ekipi i unitetit për të cilin na fliste!

Që nga 24 qershori kur u anulua takimi i Uashingtonit për shkak të publikimit të çuditshëm të propozim-aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Avdullah Hoti nuk e ka thënë as një fjalë të vetme në përkrahje të presidentit, ndonëse ai gjeti kohë ta uronte edhe Liverpoolin.

Edhe pse distanca në mes Zyrës së Presidentit dhe Zyrës së Kryeministrit nuk është as 50 metra, ai nuk e mori mundin më asnjëherë që të vinte dhe ta takonte. Jo vetëm për t’u koordinuar, por as për ta shprehur një solidaritet krejtësisht njerëzor!

Nuk e paskemi ditur, por Avdullah Hoti qenka tërësisht i amputuar nga ndjenjat e patriotizmit!