Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit: Diskutuam me Kurtin për shtyrjen e zbatimit të rregullave të reja për targat

Këshilltari i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Derek Chollet, ka thënë se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, kanë folur edhe për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat serbe të automjeteve që përdoren nga qytetarët serbë të Kosovës.

Për këtë bisedë para Chollet njoftoi edhe shefi i ekzekutivit të vendit, por ai nuk e përmendi nëse targat kanë qenë pjesë e bisedës së tyre.

“Fola me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti sot për të diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjes së zbatimit të rregullave të reja të targave, pa konfiskime apo gjoba” – ka thënë Chollet.

Tutje ai tha se gjithashtu është diskutuar edhe për partneritetin mes dy vendeve dhe synimet e përbashkëta për avancimin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.

Në anën tjetër, në njoftimin e kryeministrit u tha se Kurti kishte falënderuar Chollet për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën për integrimin euroatlantik.

Tutje, Kurti kishte thënë se Kosova përsëri dëshmon se sundimi i ligjit shkon krah për krah me paqen, sigurinë dhe demokracinë.

Sipas tij kjo tregohet në Projektin Botëror të Drejtësisë, Raporti i vitit 2022, ku Kosova është renditur e para në Ballkanin Perëndimor dhe e dyta në botë që ka shënuar përmirësim në fushën e sundimit të ligjit.

Mirëpo, në njoftimin e Kurtit nuk ishin dhënë detaje shtesë.