Këshilli i Etikës së UP-së ende pa vendim për Ardian Kastratin

Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ ende është duke e trajtuar lëndën e profesor asistentit të Fakultetit Filozofik, Ardian Kastrati.

Edhe pse janë bërë më shumë se një muaj që kur Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, e ka dërguar Kastratin, për gjuhën e përdorur në postimin e tij në Facebook në drejtim të presidentes, Vjosa Osmani, Këshilli s’ka dorëzuar vendim në drejtim të rektorit, Naser Sahiti.

Sipas rregullores për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik të UP-së, më saktësisht neni 7, pika 7, theksohet se nëse Këshilli i Etikës ka marrë vendim i prezantohet rektorit në afat prej 30 ditësh.

Po ashtu, pika 6 e këtij neni thekson se intervistimi bëhet brenda 5 ditësh.

UP-ja e ka dërguar lëndën e Kastratit më 8 prill në Këshill të Etikës dhe që nga ajo datë deri më tani, KALLXO.com ka drejtuar pyetje për vendimin e këtij Këshilli, por UP-ja ka njoftuar në vazhdimësi se lënda është në trajtim.

Më 12 maj nga zyra për media e Universitetit të Prishtinës kanë bërë të ditur se lënda është në trajtim.

“Ju njoftojmë që lënda për profesor Ardian Kastratin është në proces të trajtimit nga Këshilli i Etikes i Universitetit të Prishtinës”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Kurse, sot përsëri zyra për media e UP-së ka njoftuar se kjo lëndë është në proces dhe gjatë javës së ardhshme do të bëhet i ditur vendimi për profesorin në fjalë.

“ Ju njoftojmë që Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës është në proces të trajtimit të lëndës për prof. ass. dr. Ardian Kastratin. Sipas KE-së, gjatë javës së ardhshme do të njoftoheni me vendimin për lëndën në fjalë”, thuhet në përgjigjen e UP-së.

Historiku

Kastrati përmes një publikimi në Facebook kishte fyer presidenten e sapozgjedhur të Kosovës, Vjosa Osmanin.

Pas kësaj ai ishte arsyetuar se postimit të tij i është dhënë qasje e gabuar.

“Sa e qela fcb po e shoh që më paskan gozhdu do analista e portale. Unë as që kam qene tu e pa seancën per zgjedhjen e presidentit kur e kam shkru atë postim. As që më ka shku mendja te Vjosa Osmani, as Adelina Grainca , as për asnjë të person të gjallë në këtë botë. …siç paskan aluduar disa.  Askush nuk duhet të ndihet i ofenduar sepse postimi ska pas adresë politike e aq më pak seksiste”, kishte shkruar mes tjerash ai.

Për këtë kishte reaguar shoqëria civile, të cilët kishin kërkuar përjashtimin  e tij si profesor.

Aktivistë të shoqërisë civile kërkojnë përjashtimin e deputetit Ardian Kasatrati nga stafi akademik

Ndërsa, UP-ja ishte distancuar nga deklaratat e tij dhe e kishte dërguar më pas lëndën në trajtim në Këshillin e Etikës, i cili është organ për trajtimin e këtyre çështjteve.

UP dërgon Ardian Kastratin në Këshillin e Etikës