Kadri Veseli - Kryetar i PDK-së - 20.07.2019

Kërkohet konstruktivitet nga PDK-ja si opozitë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), për herë të parë pas shumë vitesh pritet të jetë në opozitë, pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Në lidhje me këtë, Valmir Ismaili nga Demokraci Plus (D+), në një intervistë për KALLXO.com, ka thënë se pranimi i rezultateve të zgjedhje të 6 tetorit nga ana e PDK-së, ka qenë një mesazh i mirë.

“Lajmi i parë që ka ardh nga Partia Demokratike e Kosovës pas shpalljes preliminare të rezultateve, ka qenë lajm i mirë kur ka dal kryetari i këtij subjekti dhe e ka pranuar humbjen dhe ka thënë që ky subjekt politik do të jetë në opozitë. Konsideroj që ky është një mesazh i mirë fillestar që ka ardhur nga Partia Demokratike e Kosovës”, është shprehur ai.

Megjithëkëtë, sipas Ismailit kjo parti që pritet të jetë në opozitë do t’i ketë kundërshtimet e tyre për veprimet ose për politikat e ndryshme të cilat do të vijnë në Kuvend nga qeveria.

“Nuk presim që çdo iniciativë e qeverisë të përkrahet nga Partia Demokratike e Kosovës ose nga cilido subjekt tjetër opozitar, sepse ata janë në opozitë dhe do të duhej që të kundërshtonin me argumente alternativat e ofruara nga qeveria”, tha ai.

Drejtori i D+, ka shtuar se konsideron që PDK-ja do të duhej ta kishte një rol konstruktiv në çështjet e mëdha që vijnë në Kuvend të Kosovës.

“Ta zëmë për shembull çështja e dialogut dhe çështje tjera që janë me rëndësi jetike njëjtë sikurse kanë bërë edhe subjektet tjera opozitare gjatë mandatit të kaluar. Përndryshe PDK do të duhej që këtë periudhë ta përdortë për një reformim të brendshëm në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme kurdo që të mbaheshin të kthehej më e fuqishme dhe ndoshta të kthehej prapë në pozitë”, është shprehur Ismaili në intervistën për KALLXO.com.

Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli me 6 tetor e kishte  pranuar humbjen në zgjedhje.

Në një konferencë për media, Veseli ka thënë se PDK do të kalojë në opozitë.

“Së bashku me PDK kemi punuar shumë që t’i fitojmë këto zgjedhje por nuk fituam. Qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre dhe ne e pranojmë. PDK do të kalojë në opozitë por ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë kombit dhe shtetit”, ishte shprehur Veseli.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, PDK-ja renditet e treta me 21,16 për qind të votave.

Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare Demokraci Plus (D+), Valmir Ismaili në një intervistë për KALLXO.com, ka folur për zvarritjen e procesit drejt certifikimit të zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura me 6 tetor 2019, si dhe për çështje të tjera.

Intervistën e plotë mund ta shihni më poshtë:

Valmir Ismaili: Kosova nuk e ka luksin të shkojë prapë në zgjedhje

.