Valmir Ismaili nga 'Demokracia Plus' - FOTO KALLXO.com

Valmir Ismaili: Kosova nuk e ka luksin të shkojë prapë në zgjedhje

Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare Demokraci Plus (D+), Valmir Ismaili në një intervistë për KALLXO.com, ka folur për zvarritjen e procesit drejt certifikimit të zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura me 6 tetor 2019.

Sipas tij, problemi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me formularët për bartjen e rezultateve, ankesat e shumta për votat nga diaspora dhe nga ato që kanë ardhur nga Serbia, kanë ndikuar në gjendjen e krijuar.

Ismaili e ka konsideruar të domosdoshme një reformë serioze zgjedhore, iniciuar nga partitë politike në mënyrë që të evitohen parregullsitë në procese zgjedhore, duke dhënë disa variante që do të mund të ishin pjesë e Ligjit për Zgjedhjet.

Ai ka shtuar se nuk pritet që të ketë krijim të qeverisë së re para fundit të dhjetorit apo fillimit të muajit janar.

Ismaili ka folur edhe për bisedimet mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), drejt koalicionit qeverisës, pozicionin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) si opozitë si dhe insistimin e koalicionit Nisma-AKR-PD që të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e ardhshme.

Sa i përket deklaratave se vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje, njohësi i këtyre proceseve në këtë intervistë për KALLXO.com, ka thënë se nuk beson se mund të ndodhë një gjë e tillë.

Ismaili ka shtuar se Kosova nuk e ka luksin të shkojë prapë në zgjedhje, jo vetëm për aspektin buxhetor por edhe politik, për shkak të çështjeve të mëdha.

Intervista e plotë me Valmir Ismaili nga Demokraci Plus (D+)

KALLXO.com: Janë bërë më shumë se 6 javë që nga mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, përderisa ende nuk është certifikuar rezultati i tyre. Si e keni parë këtë proces, a ka qenë e nevojshme një zvarritje e tillë, duke pasur parasysh se rezultati preliminar u shpall nga KQZ-ja qysh mbrëmjen e 6 tetorit?

Valmir Ismaili: Është e vërtetë që ne kemi pasur një ditë të zgjedhjeve relativisht të mirë, ku nuk ka pasur pothuajse asnjë kontestim nga të gjithë ata edhe që kanë garuar në zgjedhje apo nga vëzhguesit qoftë ata vendor dhe ndërkombëtar. Megjithatë ne kemi disa procedura ose disa afate të cilat ju kanë dhënë mundësi subjekteve politike dhe akterëve të ndryshëm që të ankohen dhe si rezultat ne sot jemi më tepër se një muaj pas ditës së zgjedhjeve dhe nuk kemi akoma certifikim të rezultateve.

Natyrisht kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën, mirëpo tash kanë qenë disa probleme edhe më të mëdha, do të thotë ka pasur një problem nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që tashmë dihet me atë formularin e famshëm për bartjen e rezultatit që ka pasur një defekt dhe po ashtu ka pasur ankesa të shumta për votat nga diaspora dhe nga ato që kanë ardhur nga Serbia. Të gjitha këto kanë bërë që të kemi një shtyrje të certifikimit të rezultateve dhe akoma jemi në procedura të rinumërimit. Tani nuk mund të them se kush është fajtori për këtë, përderisa legjislacioni jonë e lejon një gjë të tillë.

Ndoshta duhet që të kemi, pas konstituimit të Kuvendit një reformë serioze dhe të kemi një angazhim serioz të subjekteve politike që të kemi një reformë dhe mos të përballemi me probleme të tilla në të ardhmen.

KALLXO.com: Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), po vazhdon rinumërimi i më shumë se gjysmës së vendvotimeve. Edhe sa kohë pritet të kalojë deri në formimin e Qeverisë së Kosovës dhe konstituimin e Kuvendit?

Valmir Ismaili: Është duke ndodhur rinumërimi i kutive për të cilat ka marr vendim Gjykata Supreme dhe ndoshta këtu i vetmi gabim që e ka bërë KQZ-ja na këtë proces është që nuk ka marrë një vendim të mëhershëm për rinumërim të të gjitha kutive për shkak të atij defekti që ka pasur me formularin për bartje të rezultateve. Sepse nëse do të merrte KQZ-ja një vendim fillestar për rinumërim të të gjitha kutive ndoshta procesi do të përfundonte shumë më herët.

Tani pritet që brenda një periudhe ndoshta dhjetë ditore të përfundojë i gjithë  procesi i rinumërimit dhe certifikimi i rezultateve, pastaj dihen procedurat që janë do të thotë presidenti i vendit duhet brenda një muaji që t’i japë mandatin partisë fituese, pas konstituimit të Kuvendit për të krijuar qeverinë dhe pastaj janë disa procedura të tjera dhe normalisht nuk pritet që të kemi krijim të qeverisë ndoshta para fundit të dhjetorit apo fillimit të muajit janar, e duke pasur parasysh që kemi edhe disa festa gjatë kësaj kohë. Atëherë ndoshta fillimi i janarit do të mund të ishte data më optimale ku do të mund të kishim një krijim të qeverisë.

KALLXO.com: Duke pasur parasysh që në këto zgjedhje u evidentua një numër i konsiderueshëm i parregullsive, sidomos në listat e kandidatëve për deputetë, sa është e domosdoshme një reformë zgjedhore në Kosovë dhe çfarë duhet të bëhet më konkretisht që të identifikohen dhe të mos përsëriten këto parregullsi në zgjedhjet e ardhshme?

Valmir Ismaili: Ekzistojnë mënyra të ndryshme se si do të mund të evitoheshin këto parregullsi. Normalisht për të ndodhur këto do të duhej një vullnet të subjekteve politike që reformën zgjedhore ta marrin më seriozisht në mënyrë që të mos kemi probleme të tilla. Tani ekzistojnë shembuj të ndryshëm nga vende të ndryshme të botës dhe nuk mund të themi se cili do të ishte më i miri për Kosovën, por do të duhej që ekspertë të ndryshëm të subjekteve politike të uleshin dhe të shikonin se çfarë do të duhej të bëhej.

Ekzistojnë disa mundësi, variante të cilat do të mund të shmangnin këto parregullsi ose t’i evitonin ato në masë të madhe. Ta zëmë një prej opsioneve që është duke u folur së fundmi është që mos të numërohen të gjitha votat në vendvotime, do të thotë të numëroheshin vetëm për subjektet politike, përderisa ato për kandidatët të numëroheshin në qendër të numërimit.  Normalisht kjo do të evitonte në masë të madhe këtë parregullsi por konsideroj që nuk do ta evitonte në tërësi sepse mund të ndodhin parregullsi edhe gjatë numërimit të votave për subjekte politike, megjithatë një variant i tillë do të minimizonte në masë të madhe.

Varianti tjetër është që të gjitha votat të numërohen në qendra rajonale ose të krijoheshin qendra komunale, rajonale apo në QNR. Megjithatë edhe kjo është çështje që do të duhej të diskutohej. Pastaj për shkak se problemet më të mëdha kanë ndodhur në vjedhjet që kanë ndodhur brenda llojit ose për kandidatët, një opsion është që të mbyllen në tërësi listat që nuk është një opsion që ma merr mendja që do të kishte përkrahjen as nga subjektet politike po as nga shoqëria civile sepse hapja e listave konsiderohet një prej të arriturave më të mëdha që kanë ndodhur në Kosovë pas luftës. Por çfarë do të mund të bëhej është që numri i opsioneve për zgjedhje të zvogëlohej nga pesë kandidatë të bëhej në tre kandidatë dhe po ashtu konsideroj, për mendimin tim që bartësi i listës do të duhej të merrte drejt për së drejti votën, do të thotë kur votohet subjekti politik të shkojë edhe për bartësin e listës, njëjtë qysh e kemi në zgjedhje komunale. Përderisa të mund të përzgjidheshin edhe tre kandidatë të tjerë. Kjo do të zvogëlonte në masë të madhe ndoshta edhe mundësinë për manipulim nga komisionerët sepse ajo çfarë ndodhë kryesisht është që votuesit nuk i zgjedhin të gjithë kandidatët, ata kanë mundësi që të zgjedhin pesë, këta i zgjedhin dy-tre, pastaj janë komisionerët ata të cilët vendosin për votat shtesë, alternative, do të thotë nëse do ta zvogëlonim këtë mundësi rrjedhimisht do të zvogëlohej mundësia për manipulim.

Pastaj konsideroj që një opsion tjetër do të ishte që komisionerët mos të jenë të subjekteve politike, por të jenë shërbyes civil. Kjo është një praktikë në Maqedoni dhe konsideroj që është një praktikë e mirë sepse nëse do të ndodhte që të bënte ndonjë gabim ndonjë komisioner ata mund të sanksionohen me vendin e punës që e kanë dhe normalisht që nuk do të ishte në interes të tyre që të bënin parregullsi të tilla. Përderisa, subjektet politike do të mund të kishin vëzhgues në vendvotime, komisionerët mund të jenë njerëz nga shërbimi civil. Kjo konsideroj që do të evitonte në masë të madhe edhe  këto gabimet e paqëllimshme të cilat po ndodhin nga komisionerët sepse ne krahas këtyre gabimeve të qëllimta kemi edhe një numër të madh të gabimeve të paqëllimta të cilat komisionerët i bëjnë nga mosdija ose nga mos përgatitja e tyre e lartë shkollore. Nëse do të kishim njerëz që vijnë nga shërbimi civil atëherë konsideroj që këto gabime do të evitoheshin. Një alternativë tjetër që mund të evitonte këto probleme është edhe çështja e ndarjes në zona zgjedhore, megjithatë për të pasur ndarje në zona zgjedhore ne do të duhej të kishim një listë të mirë të votuesve dhe një regjistrim të popullsisë, e që konsideroj që regjistrimi i fundit që ka ndodhur në vitin 2010 nëse nuk gaboj, nuk ka ofruar të dhëna të mira sepse kemi diskrepancë shumë të madhe në mes të listës së votuesve dhe të njerëzve që jetojnë në Kosovë. Do të thotë edhe pse është një mundësi e mirë, para se të vendosim për zona zgjedhore do të duhej që të kishim lista të votuesve të mira që konsideroj që nuk mund të bëhen për momentin.

Një zgjidhje tjetër dhe që mendoj se është e domosdoshme është që zgjedhjet e jashtëzakonshme edhe nëse kemi ato do të duhej të bëheshin në afate kohore sikurse zgjedhjet e rregullta, sepse po shihet që ka probleme të mëdha dhe një numër i madh i alternativave të cilat po propozohen nga ekspertë të ndryshëm do të mund të aplikoheshin vetëm për zgjedhje të rregullta  nëse kemi zgjedhje në afate të rregullta kohore.

Nëse kemi zgjedhje të cilat po organizohen kështu brenda 40 dite atëherë është problem që shumë nga rekomandimet  e ndryshme që po vijnë nga ekspertë të ndryshëm të zbatohen, prandaj do të duhej të konsiderohej opsioni që kurdo që të ndryshohet ligji që zgjedhjet, nëse bie qeveria para kohe, zgjedhjet prapë të mbaheshin në afate të rregullta kohore. Në pika të shkurta këto janë disa nga çështjet të cilat do të mund të ndikonin në përmirësimin e situatës  për zgjedhjet e ardhshme.

KALLXO.com: Në anën tjetër Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) si partitë që dolën më të votuarat më 6 tetor ende nuk kanë nënshkruar marrëveshje për koalicionin qeverisës, me arsyetimin se duhet pritur certifikimi i zgjedhjeve. A po ndikon në këtë vendim zvarritja me rinumërime, apo konsideroni se këto subjekte ende nuk po mund të merren vesh për ndarjen e përgjegjësive dhe pozitave në qeverinë e re?

Valmir Ismaili: Konsideroj që janë të dyja. Do të thotë, duke pasur një vonesë në certifikim të rezultateve as këto dy subjekte politike nuk po nguten që të arrijnë marrëveshje. Të dy subjektet politike kanë thënë që kanë përafrim për ta bërë një plan ose një program të përbashkët qeverisës, gjë që është e mirë. Po ashtu konsideroj që nuk do të duhej ngutur që të kemi një nënshkrim të marrëveshjes pa certifikim të rezultateve sepse ne akoma nuk e dimë nga sa deputetë do t’i kenë këto subjekte politike sepse siç e dimë Nisma është shumë pranë kalimit ose mos kalimit të pragut dhe një ndryshim i vogël në numra mund të ndikojë që Nisma mos të kalojë pragun. Dhe në rrethana të tilla po ndryshon edhe matematika për qeverisje, prandaj e kam thënë edhe më herët është mirë që këto dy subjekte politike të ulen të përafrojnë qëndrimet e tyre përderisa nënshkrimi i marrëveshjes normalisht do të duhej të pritej pas certifikimit të rezultateve sepse vetëm atëherë do të dihej se nga sa deputetë secili subjekt politik do të ketë dhe si do të duhej të bëhej ose për sa parti shtesë kanë nevojë në koalicion. Prandaj nuk është diçka shumë dëm i madh që nuk po nënshkruhet kjo marrëveshje. E mira është që ka një përafrim të qëndrimeve përderisa edhe një herë po e them do të duhej të pritje certifikimi i rezultateve.

KALLXO.com: Partia Demokratike e Kosovës (PDK), për herë të parë pas shumë vitesh pritet të jetë në opozitë. Si e shihni PDK-në në këtë pozicion, a do të jetë ‘ndihmesë’  për ta shtyrë agjenda në Kuvend apo do të ‘hakmerret’ ndaj politikave të opozitës së deritashme që pritet ta marr pushtetin?

Valmir Ismaili: Lajmi i parë që ka ardh nga Partia Demokratike e Kosovës pas shpalljes preliminare të rezultateve, ka qenë lajm i mirë kur ka dal kryetari i këtij subjekti dhe e ka pranuar humbjen dhe ka thënë që ky subjekt politik do të jetë në opozitë. Konsideroj që ky është një mesazh i mirë fillestar që ka ardhur nga Partia Demokratike e Kosovës. Normalisht ata si parti në opozitë do t’i kenë kundërshtimet e tyre për veprimet ose për politikat e ndryshme të cilat do të vijnë në Kuvend nga qeveria dhe nuk presim që çdo iniciativë e qeverisë të përkrahet nga Partia Demokratike e Kosovës ose nga cilido subjekt tjetër opozitar, sepse ata janë në opozitë dhe do të duhej që të kundërshtonin me argumente alternativat e ofruara nga qeveria.

Megjithatë, unë konsideroj që PDK-ja do të duhej ta kishte një rol konstruktiv në çështjet e mëdha që vijnë në Kuvend të Kosovës, ta zëmë për shembull çështja e dialogut dhe çështje tjera që janë me rëndësi jetike njëjtë sikurse kanë bërë edhe subjektet tjera opozitare gjatë mandatit të kaluar. Përndryshe Partia Demokratike e Kosovës do të duhej që këtë periudhë ta përdorte për një reformim të brendshëm në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme kurdo që të mbaheshin të kthehej më e fuqishme dhe ndoshta të kthehej prapë në pozitë.

KALLXO.com: Si e shihni insistimin e koalicionit Nisma-AKR-PD  që të jetë pjesë e Kuvendit, a mendoni se edhe pas rinumërimeve ata do të arrijnë qëllimin, pas shumë ankesave që i kanë proceduar në PZAP?

Valmir Ismaili: Normalisht, qëllimi i secilit subjekt politik që garon në zgjedhje është që t’i fitojë ato ose në raste të tilla që të ketë disa deputetë ose ta kalojë pragun. Konsideroj që ankesat e Nismës sa i përket parregullsive në formularin për bartje të rezultateve kanë qenë ankesa me vend dhe është dashur që KQZ-ja shumë më herët të marr një vendim për rinumërim të të gjitha fletëvotimeve.

Sa i përket ankesave tjera për votat që kanë ardhur nga Serbia ose nga Diaspora, përkundër disa prej neve që kemi pasur mendime të ndryshme ose që PZAP dhe Gjykata Supreme në të kaluarën kanë marr vendime të ndryshme, tashmë kemi vendime edhe nga PZAP edhe nga Gjykata Supreme që në fund të fundit janë ato vendimet e Gjykatës Supreme që të ketë rinumërim dhe përjashtim të votave nga Serbia dhe ne duhet t’i bindemi vendimeve të tyre.

Megjithatë çështja e Nismës, e këtij koalicioni nuk është përfundimtare sepse janë vetëm disa dhjetëra vota dhe akoma nuk janë numëruar edhe me qindra kuti. Kështu që nëse do të ketë ndonjë dallim nga numërimi paraprak, atëherë ky koalicion mund të mbetet prapë jashtë Kuvendit të Kosovës. Megjithatë insistimi i tyre për të qenë pjesë ose për t`u rinumëruar është legjitim përderisa bëhet në kuadër të procedurave që janë paraparë me Ligjin për Zgjedhjet. Përderisa se a do të  jenë ata pjesë apo jo e qeverisë kjo krejt varet nga negocimi i tyre që do të bëhet me Vetëvendosjen dhe LDK-në.

KALLXO.com: Zyrtarë të partive politike në Kosovë kanë përmendur mundësinë e shkuarjes së sërishme në zgjedhje. A ka gjasa të ndodhë kjo dhe sa do të ishte e përballueshme për buxhetin e shtetit të Kosovës, që të organizohen sërish zgjedhje?

Valmir Ismaili: Nuk besoj që Kosova do të shkoj shpejt në zgjedhje të jashtëzakonshme sepse e thash edhe më herët që edhe LDK edhe Vetëvendosje kanë një përafrim të qëndrimeve të tyre, përderisa Lëvizja Vetëvendosje tani më vetëm ka bërë marrëveshje edhe më një subjekt nga pakicat, një deputet i është bashkëngjitur grupit të tyre parlamentar dhe shihet se ata janë duke lëvizur drejt formimit të qeverisë së ardhshme.

Nuk është vetëm çështje buxheti organizimi i zgjedhjeve sepse në fund të fundit 5 milionë do të mund të gjendeshin diku për t`u organizuar zgjedhjet, por çfarë do të ishte ndryshimi nga zgjedhjet që tanimë i patëm. Konsideroj që nuk do të kishte kurrfarë ndryshimi sepse vetëm para një muaji kemi pasur zgjedhje, por Kosova nuk e ka luksin për çështje të tjera që të organizojë zgjedhje të menjëhershme sepse janë shumë çështje që janë duke na pritur, përfshirë dialogun me Serbinë, pastaj çështje të ndryshme ekonomike dhe sociale të cilat janë grumbulluar për vite të tëra. Është  korrupsioni dhe çështje të ndryshme të cilat do të duhej një qeveri të merrej me to në mënyrë të shpejtë dhe të qëndrueshme.

Prandaj, nuk kemi luksin që të kemi zgjedhje të ardhshme, është çështja e politikës së jashtme. Ne në vazhdimësi jemi duke marr pothuajse çdo muaj informata se shtete të ndryshme janë duke tërhequr njohjen për Kosovën, kështu që Kosova ka nevojë që të ketë një Qeveri dhe një Kuvend stabil dhe mendoj që qytetarët e kanë dhënë vendimin e tyre që Kosova do të duhet të udhëhiqet në të ardhmen nga subjektet që deri më tani kanë qenë në opozitë dhe partitë politike duhet t’i binden këtij vullneti të qytetarëve.