Foto: Ilustrim

Kërkohej nga policia, arrestohet nën dyshimin e vrasjes së një 49 vjeçari

Një person është arrestuar nën dyshimin se i njëjti më 10 korrik të vitit të kaluar në bashkëkryerje kishin plagosur dy persona, njëri nga të cilët më pas kishte vdekur.

Në njoftimin e Policisë është thënë se arrestimi i të dyshuarit ka ndodhur në orët e mesditës së sotme, në Vushtrri.

Sipas Policisë, i dyshuarit A.B., 30 vjeçar, kohë më parë ishte shpallur edhe në kërkim policor.

Ky i fundit thuhet se pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të rastit të dyshuarit iu është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

KALLXO.com kishte raportuar edhe më parë lidhur me rastin.

Më 10 korrik të 2021-ës në rrugën “Evlia Qelebia” në Mitrovicën e Jugut, kishte pasur të shtëna me armë zjarri.

Të lënduar kishin mbetur një 49 vjeçar i cili më pas si pasojë e plagëve të marra kishte vdekur dhe një 52 vjeçar i cili ishte plagosur.

Policia asokohe kishte njoftuar se 52 vjeçari ishte dërguar për tretman mjekësor.

Organet e sigurisë kishin kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes.

Policia kishte njoftuar se hetuesit e krim-teknikës si prova materiale kishin gjetur katër gëzhoja dhe një predhë të plumbit.

Tutje Policia kishte thënë se nga hetimet e atëhershme dhe dyshimet e ngritura, dy persona të dyshuar kanë qenë në kërkim policor, identiteti i të cilëve ishte i njohur për policinë dhe se trupi i pajetë i viktimës ishte dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Mitrovicë – Vritet me armë zjarri një 49 vjeçar