Albin Kurti - FOTO KALLXO

Kërkesa e Albin Kurtit për Gjykatën Kushtetuese rreth dekretit për Avdullah Hotin

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese përgjigjen në emër të Qeverisë në lidhje me kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme ndaj dekretit të Presidentit për mandatrin e ri të qeverisë.

Kurti është shprehur se Qeveria konsideron që vendosja e masës së përkohshme është në interesin publik dhe gjithashtu i shërben administrimit të drejtësisë.

“Qeveria mbështeti kërkesën e deputetëve për vendosjen e masës së përkohshme dhe vlerësoi vendimin e Gjykatës për aprovimin e kërkesës së tyre për pezullimin e dekretit të Presidentit, sepse parashtruesit kanë dorëzuar një kërkesë e cila është prima facie e pranueshme si dhe është substancialisht e arsyetuar rreth pretendimeve përkitazi me dispozitat kushtetuese të saktësuara në kërkesë”, citohet të jetë përgjigjur Kurti në Kushtetuese.

Sipas Kurtit, është e nevojshme të kujtohet që ky pezullim nuk e prejudikon vendimin përfundimtar të Gjykatës.

“Kështu që është tejet e rëndësishme që të mos entuziazmohemi, të rrimë të fokusuar në drejtim të qëllimit tonë për menaxhimin sa më të mirë të situatës me pandeminë COVID-19”, ka thënë ai.

Gjykata Kushtetuese e ka aprovuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për masë të përkohshme lidhur me dekretin e presidentit Hashim Thaçi që mandatoi Avdullah Hotin për kryeministër të ardhshëm.

Sipas Kushtetueses, vendimi për masën e përkohshme është deri më 29 maj 2020.