Agim Bahtiri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kërcënimi ndaj Agim Bahtirit: 25 mijë euro ose t’i publikojmë disa fotografi

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot ka arrestuar dy persona të dyshuar për shantazh dhe kanosje.

KALLXO.com ka mësuar se fjala është për kërcënimin ndaj kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.

Në njoftimin e saj Policia thotë se të dyshuarit i kishin kërkuar viktimës 25 mijë euro nëse nuk donte t’I publikoheshin disa fotografi që do të mund t’ia dëmtonin imazhin victimës dhe familjes së tij.

Rasti, sipas Policisë, ka ndodhur më 15 tetor të këtij viti.

KALLXO.com kishte raportuar për kërcënimet ndaj kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtirit.

“Me datë 15.10.2020, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) e Policisë së Kosovës në Prishtinë ka pranuar një informacion lidhur me persona të dyshuar, të cilët dyshohet se përmes rrjetit social FACEBOOK dhe përmes rrjetit social “Messenger”, janë duke e detyruar viktimën m/k për t’i dhënë një shumë  të parave në vlerë prej (25 000 Euro) njëzet e pesëmijë eurove përndryshe do t’ia publikojnë disa fotografi të cilat do të ndikojnë në imazhin e tij dhe të familjes së tij dhe po ashtu e kanë kanosur vazhdimisht viktimën se “nëse nuk i jep paratë do ta dëmtojnë atë dhe familjen e tij””, thuhet në njoftimin e sotëm të Policisë.

Me këtë rast, sipas Policisë, dyshohet se të dyshuarit me qëllim të përfitimit material kanë kryer veprat penale – shantazhi dhe kanosja.

Personat e arrestuar dje në Lipjan janë B.Sh. (viti i lindjes 1997) dhe F.S. (viti i lindjes 1996).

Nga të dyshuarit janë sekuestruar tre telefonë, dy Iphone dhe një Samsung dhe një USB në cilësi të provave materiale.

Pas kontaktit me prokurorin kujdestar në Mitrovicë, të dyshuarit është vendosur të dërgohen në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme ligjore.