Ish-senatori zviceran Dick Marty - Foto: Facebook/Cedric Wermuth

Kërcënimi me vrasje ndaj Dick Martyt, politikani zviceran thirrje Vuçiqit: Ndaloni nxitjen e dhunës dhe urrejtjes!

Politikani zviceran Cédric Wermuth ka reaguar në lidhje me pohimet e ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, se është kërcënuar nga qarqe të intelegjencës serbe dhe se për këtë arsye ai po lëviz nën përcjellje të fortë policore.

Wermuth ka përsëritur fjalët e Martyt se shteti serb është përpjekur ta vriste në mënyrë që më pas faji t’u vihej ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen në Gjykatën Speciale për krime të supozuara lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat kanë dalë nga raporti i raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty.

Gjykata Speciale është ngritur në bazë të këtyre krimeve të pretenduara.

E politikani zviceran Cédric Wermuth ka reaguar pas informacioneve se Dick Marty ka marrë kërcënime serioze prandaj ai po ruhet nga forcat e rendit.

“Por kjo është e papranueshme: shteti serb u përpoq ta vriste Martin dhe fajësojë ish-luftëtarët e UÇK-së”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Wermuth, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq po përpiqet në mënyrë agresive të mbjellë urrejtje dhe dhunë në rajon dhe ta ndajë Kosovën nga Evropa.

“Më lejoni të jem shumë i qartë: ne nuk do ta lejojmë këtë. Pres që qeveria zvicerane dhe Evropa të jenë shumë të qarta me Vuçiqin: Mos ndërhyni në të drejtën e Republikës së Kosovës për vetëvendosje. Kosova është shtet i pavarur, pranoje. Ndaloni nxitjen e dhunës dhe urrejtjes”, ka shkruar po ashtu Wermuth.

Mediat zvicerane kanë raportuar se ish-senatori Dick Marty është vënë nën mbrojtje të rreptë policore që nga dhjetori i vitit 2020 për shkak të një kërcënimi të vlerësuar “serioz”.

Masat mbrojtëse, sipas 24heures.ch, përfshijnë mbrojtjen e afërt gjatë paraqitjeve në hapësira publike ose masa teknike të mbrojtjes në shtëpi.

Në një intervistë për emisionin “Mise au point” të televizionit zviceran RTS, Dick Marty ka thënë se ka marrë informacione se ai është në shënjestër për t’u likuiduar dhe se ky kërcënim, sipas tij, vjen nga qarqe të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilat kanë kërkuar nga vrasës profesionistë për ta vrarë e për t’ua hedhur pastaj fajin ish-luftëtarëve të UÇK-së.