Foto: Vrojtuesit e Lagjes/Facebook

KEK-u për ndotjen: Nuk është e jashtëzakonshme

Korporata Energjetike e Kosovës, përmes një komunikate ka thënë se ndotja, për të cilën janë alarmuar qytetarët sidomos ata të Obiliqit, nuk është asgjë e jashtëzakonshme.

Sipas KEK-ut ndotja nuk është shqetësuese dhe ky është është një proces i pa shmangshëm që zgjatë për disa orë derisa të kthehen blloqet në prodhim pas remonteve kapitale.

KEK thotë se kjo ndotje për shkak të pajisjeve që janë të instaluara 60 vjet më parë.

“Kjo është si rezultat i ndezjes së gjeneratorëve me anë të djegies me naftë dhe zgjatë disa orë derisa të hynë në sistem dhe të fillon ndezja e gjeneratorëve me thëngjill.  Prandaj, i kemi njoftuar qytetarët dhe organet përgjegjëse së se kjo do të ndodhë gjatë fazës se kthimit të blloqeve në prodhim pasi kemi përmbyllur me kohë të gjitha remontet në blloqet e TC-A dhe TC-B në mënyrë që nga shtatori t’i kemi të gjitha kapacitetet në dispozicion të prodhimit të energjisë elektrike.  Ajo qe shihet sot është si rezultat i kthimit në prodhim të “Bllokut A3” cili ka qenë në revizion të përgjithshëm, i ndalur për 4 muaj rresht”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.

Po ashtu KEK ka thënë se gjatë këtyre ditëve për shkak të testimit do të ketë tym dhe zhurmë, por se e gjithë kjo po ndodh që gjatë stinës së dimrit të ketë stabilitet energjetik.

“Gjithnjë duke u bazuar në programin e dhënë nga OE, gjatë kësaj kohe në dalje të oxhakut do të jetë prezentë tymi pak me i theksuar si dhe zhurma që do paraqitet gjatë testimit. Gjatë fazës së startimit të njësisë gjeneruese situatë e tillë (tym më i theksuar) është e pashmangshme. Pavarësisht kësaj, ne mbesim me shpresë që do të kemi mirëkuptimin e gjithë qytetarëve sepse kjo është forma e vetme e cila na mundëson që qytetarëve të vendit të ju ofrojmë stabilitet energjetik edhe gjatë sezonit dimëror”, vazhdon më tej komunikata.

Ndërsa, ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Qeverisë në largim ka thënë se tashmë inspektorati mjedisor do të verifikojë gjendjen dhe sipas ligjeve në fuqi do të intervenojnë.

“Në lidhje me shqetësimet e ngritura sot për gjendjen e krijuar rreth zonës së Termocentralit Kosova B dhe tymit që del nga ky termocentral sapo kam kërkuar nga Inspektorati i Ministrisë që të bëjnë një vizitë inspektuese për të verifikuar gjendjen reale dhe sipas legjislacionit në fuqi të intervenojnë. Jemi plotësisht të vetëdijshëm për gjendjen jo të mirë të termocentralit Kosova B, dhe për këtë dhe kemi kërkuar vazhdimisht që të mos këtë vonesa në fillimin e projektit për ndërrimin e filtrave në këtë termocentral”, ka shkruar Matoshi.

Matoshi ka shtuar se MMPH është duke investuar në zonën përreth këtij termocentrali në projekte mjedisore që sado pak do të ndikojnë në reduktimin e ndotjes së ajrit dhe ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.