KEK pas protestës së punëtorëve të sigurimit fizik: Asnjë nga punëtorët nuk ka kontratë pune me KEK-un

Dhjetëra punëtorë të sigurimit fizik kanë protestuar para zyrave të menaxhmentit të Korporatës Energjetike të Kosovës, duke kërkuar kthimin e tyre si punëtorë të rregullt të KEK-ut dhe jo sigurimi fizik të tenderohet në sektorin privat, për paga të ulëta e kushte të rënda të punës.

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka bërë të ditur se punëtorët e sigurimit fizik ende nuk e kanë marrë rrogën e muajit janar, edhe pse kanë kaluar 20 ditë që nga përfundimi i muajit.

Pas protestës së mbajtur më 20.02.2024, Korporata Energjetike e Kosovës ka dalë me një sqarim. Në sqarimin e tyre thuhet se njësia “ish Mbrojtja dhe Siguria” ishte ndarë (shthurur) nga KEK-u në vitin 2004, andaj nga ajo kohë ky shërbim kontraktohet nga kompanitë e licencuara të sigurimit fizik.

KEK ka treguar se asnjë nga ish-punëtorët e kësaj ish-njësie të shthurur në vitin 2004 nuk kanë kontratë pune me KEK-un.

“Në këto rrethana, nga aspekti ligjor, punëtorët në fjalë nuk kanë asnjë mundësi të figurojnë të jenë punëtorë të subjektit juridik KEK sh.a. pasi që ata kanë kaluar tek kompanitë private para se të regjistrohej KEK sh.a. si korporatë në vitin 2005” – theksohet në sqarim.

Por, në njoftimin e KEK-ut thuhet se përkundër kufizimeve të Ligjit të Prokurimit Publik, menaxhmentet gjithmonë kanë inkurajuar të gjitha kompanitë e suksesshme që janë kontraktuar për sigurim fizik, që asnjë punëtor i ish-njësisë Mbrojtja dhe Siguria të mos mbetet pa punë.

“Përtej kësaj ka caktuar pagën minimale (mbi kushtet e tregut), sigurimin shëndetësorë dhe shujtën” – theksohet në njoftim.

Procesi i shthurjes së KEK-ut ka filluar në vitin 2004/05, faza e parë, me ndarjen e njësive jo-qenësore (9 njësi jo-qenësore përfshirë edhe shërbimin e sigurisë fizike), duke vazhduar në vitin 2006 me ndarjen e operatorit të sistemit dhe transmisionit (KOSTT) dhe në fund, ndarjen e operatorit të shpërndarjes dhe furnizimit (KEDS/KESCO) në vitin 2013.

Më tutje thuhet se bazuar në ligjet në fuqi, KEK nuk ka asnjë mundësi ligjore për ri-organizimin e këtij shërbimi në kuadër të korporatës.

“Për më tepër çdo punësim i ri i punëtorëve në KEK sh. a. duhet të bëhet në pajtim me Ligjin e Punës dhe aktet tjera nënligjore, si Udhëzimi i MPMS për krijimin e marrëdhënies se punës ne sektorin publik (2011/14) për punësimet e reja” – vazhdon sqarimi i KEK-ut më 20.02.2024.

Kjo nuk është protesta e parë me kërkesa të njëjta e punëtorëve të sigurimit fizik. Më 28.08.2023, punëtorët kishin gjuajtur me vezë zyrat e menaxhmetit të KEK-ut në sheshin “Zahir Pajaziti” duke kërkuar kthimin e tyre si punëtorë të rregullt të KEK-ut. Edhe më 15.03.2022 punëtorët e sigurimit fizik kishin kërkuar kthimin si punëtorë të rregullt.