Ndërprerja e energjisë elektrike Foto: KALLXO.com Foto: KALLXO.com

KEK jep detaje se kur do të kthehet në prodhim ‘Blloku B2’

Reduktimet e energjisë elektrike pritet të zgjasin deri në fund të këtij muaji, kur edhe pritet që Blloku B2 i TC “Kosova B” të hyjë në prodhim.

Gjatë ditës së djeshme qarkulluan lajme se nga e 26 gushti, do të ketë përmirësim me energji elektrike.

Por, Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS –it tha për KALLXO.com se nuk priten përmirësim të reduktimeve elektrike.

“Blloku B2 në bazë të planifikimeve është dashur të kthehet më 1 (shtator). Por, janë bërë përpjekje maksimale që të kthehet me 26 (sot) për shkak të gjendjes së vështirësuar, por jemi njoftuar që do të kthehet në kohën e planifikuar në fillim” – tha ai.

Zyrtarë të KEK-ut nuk kanë komentuar deklarimet se kishte përpjekje për të kthyer B2-it në prodhim.

Skënder Bucolli, zëdhënës i KEK-ut, tha për KALLXO.com se askush nuk ka autorizim të deklarohet rreth operimeve, respektivisht të njësive prodhuese të KEK-ut.

Bucolli bëri të ditur se remonti i B2 pritet të përfundojë deri në fund të këtij muaji.

“Kjo njësi gjeneruese me fuqi rreth 260 MW/h, sipas planit është në remont të rregullt, punimet janë në përfundim e sipër dhe pritet të lëshohet në operim para përfundimit të këtij muaji” – tha ia.

Që i bie se ky bllok do të fillojë të prodhojë energjinë elektrike në më 29 –30 të këtij muaji.

Bucolli thotë se KEK-u aktualisht është duke operuar me dy njësi të TC-A-së me rreth 130 MW/h secila dhe një njësi të TC-B me rreth 260 MË/h. Pra, siaps tij, në total rreth 520 MW/h.

“KEK nuk është duke eksportuar sepse të gjitha tepricat e energjisë elektrike (gjatë natës) është duke i depozituar në KESH, vetëm në 5 ditët e fundit KEK ka depozituar mbi 5.500 MW. Ndërsa totali i depozitimit të energjisë elektrike në KESH deri më sot është rreth 130,000 MW” – tha Bucolli për KALLXO.com

Bucolli ka treguar edhe për gjendjen aktuale të njësive (blloqeve) gjeneruese të KEK-ut.

“Njësia gjeneruese A3, – është duke operuar me fuqi prej rreth 130 MW/h, gjendja e kësaj njësie paraqitet e qetë dhe stabile. Njësia gjeneruese A4, – po ashtu është duke operuar me fuqi prej rreth 130 MW/h,  gjendja e kësaj njësie gjithashtu paraqitet e qetë dhe stabile” – thotë ai

Sipas tij, Blloku A3 parashihet që ta realizojë remontin e rregullt vjetor gjatë muajit tetor, ndërkaq Blloku A4 gjatë muajit shtator. Për të dy këto njësi remonti zgjate mesatarisht 20 ditë.

Blloku B1, sipas tij, është në operim me fuqi prej rreth 260 MW/h dhe gjendja aktuale e kësaj njësie paraqitet e qetë dhe stabile.

Kurse, shtoi se për Bllokun A5 aktualisht janë duke u zhvilluar procedurat e prokurimit për remontin kapital dhe shumë shpejt pritet te përzgjidhet Operatori Ekonomik i përgjegjshëm për këtë aktivitet.

“Njësia gjeneruese B2, me fuqi rreth 260 MW/h, sipas planit është në remont të rregullt, punimet janë në përfundim e sipër dhe pritet të lëshohet në operim para përfundimit të këtij muaji”- thotë Bucolli.