Fushe Kosove

KEDS sqarohet për reduktimet e shumta në Fushë Kosovë

Kompania për distribuimin e energjisë elektrike, KEDS, është duke kryer punime në sistemin energjetik.

Si pasojë, rajone të shumta nëpër Kosovë janë duke u përballur me reduktime, në baza ditore.

Këto reduktime në shumicën e rasteve po zgjasin për orë të tëra.

Fushë Kosova ka disa ditë me radhë që është duke u përballur me këto ndërprerje të energjisë.

Në bazë të njoftimit nga KEDS, për punime që kryhen, disa pjesë të Fushë Kosovës janë gati çdo ditë pjesë e kësaj liste.

Sipas zëdhënësit të KEDS, Viktor Buzhala, sa i përket Fushë Kosovës, aty është ndërtuar komplet rrjet i ri i tensionit të mesëm dhe gjatë funksionalizimit janë paraqitur probleme teknike, gjë që sipas tij është normale në faza fillestare të operimit.

Buzhala tutje shtoi se këto probleme janë tejkaluar dhe nuk do ketë më reduktime në Fushë Kosovë.

“Sa i përket Fushë Kosovës, ne e kemi ndërtuar rrjetin komplet të ri të Tensionit të Mesëm dhe gjatë funksionalizimit të tij janë paraqitur disa probleme teknike, çka është normale për secilin investim që gjendet në fazën fillestare të operimit. Ato probleme janë tejkaluar dhe Fushë Kosova i është kthyer normalitetit, pra s’do të ketë më probleme. Aty s’ka nevojë me as të intervenohet pasi rrjetin e kemi bërë të ri”, ka thënë Buzhala për KALLXO.com

Buzhala gjithashtu theksoi se në rajonin e Dukagjinit po ashtu kanë pasur probleme me prishje nga faktorët atmosferik, por që janë rregulluar, kurse në Malishevë dhe Ferizaj, mbingarkesa do evitohet pasi KOSTT të ndërtojë nënstacionin e ri.

Punimet në rrjet nga KEDS janë duke u kryer që nga viti 2013, ku dominojnë investimet në renovim të rrjetit të vjetruar, si shkak i tyre në shumë vende ka ndërprerje pasi kjo paraqet rrezik për punëtorët.