KEDS: Rikthehet furnizimi me rrymë në pjesën më të madhe të Rugovës

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovës (KEDS), njofton se është sanuar prishja në largpërçuesin ‘Rugova’ që la pa energji konsumatorët në Rugovë të Pejës.

Sipas njoftimit, shumica e rugovasve janë duke u furnizuar me rrymë dhe ka mbetur vetëm një pjesë e vogël e tyre, që siç thotë KEDS, pritet që gjatë ditës së sotme të rikthehet energjia elektrike.

“Tashmë, shumica e rugovasve janë duke u furnizuar. Ka mbetur vetëm një pjesë e vogël e konsumatorëve, porse ekipet e KEDS-it akoma janë në terren në Rugovë dhe gjatë ditës së sotme pritet që edhe atyre t’u rikthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike”- bëhet e ditur në njoftim.

KEDS ka falënderuar ekipet e terrenit për përkushtimin e tyre, gjatë këtyre ditëve në riparimin e dëmeve të shkaktuara nga të reshurat atmosferike, përkundër sfidave me borën dhe terrenin e vështirë.