KEDS: Nuk është koha që të cenohet kredibiliteti i kompanisë

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS), ka reaguar pas pakënaqësive të qytetarëve lidhur me furnizimin me energji elektrike.

Përmes një njoftimi për media KEDS ka bërë të ditur se sektori i energjisë në Kosovë është duke kaluar një nga sfidat më të mëdha që nga përfundimi i luftës.

“Këtë vit po përballemi me krizë globale të rritjes së çmimeve, rritjes enorme të konsumit dhe rënies së prodhimit. Këta faktorë prekin tërë sistemin elektro-energjetik, pjesë e të cilit janë edhe konsumatorët. Ne si kompani jemi të shqetësuar për këtë. Madje, për disa muaj me radhë e kemi bartur krizën në supet tona, pa u afektuar konsumatori aspak, deri sa i shterëm të gjitha resurset tona”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim është theksuar se për gjatë 9 viteve operim, KEDS e ka menaxhuar shumë mirë situatën e furnizimit me energji elektrikë në Kosovë.

“Si kompani jemi në vitin e 9 të operimeve. Që nga fillimi i operimeve tona kemi hequr planin e reduktimeve të njohur si Kategorizimi “ABC”. Vetëm kujtojeni se si ka qenë furnizimi me rrymë vitin e kaluar, krahasuar me këtë vit!? Ky është shembulli më i mirë se privatizimi ka qenë i suksesshëm dhe ne si kompani jemi krenar me atë që kemi arritur”, thuhet tutje në njoftim e kompanisë KEDS.

Në këtë njoftim, KEDS ka shtuar se kanë investuar gati 200 milionë euro në sistem, në mënyrë që operimi të jetë më efikas.

“Këto investime kanë rritur në mënyrë të prekshme kualitetin e shërbimeve për qytetarët e bizneset në të gjithë Kosovën. Kur e kujtojmë gjendjen që e trashëguam dhe pasi të merren në konsideratë të gjitha projektet e realizuara deri tani, atëherë privatizimi i KEDS-it, s’ka si quhet ndryshe, pos një storie suksesi”, thuhet tutje aty.

Tutje nga KEDS kanë bërë të ditur se janë duke punuar në vazhdimësi për tejkalimin e krizës në vend, duke u shprehur të gatshëm që të punojnë edhe me akterët e tjerë për përmirësimin e furnizimit me energji elektrike.

“Dëshirojmë t’i sigurojmë të gjithë akterët tjerë relevantë se jemi të gatshëm për bashkëpunim, ashtu siç kemi qenë që nga shtatori, kur filluam të ofrojmë rekomandime për autoritetet si të menaxhohet në mënyrë sa më efikase kjo krizë”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas KEDS, “është koha që tërë energjinë ta përqendrojmë në tejkalimin e kësaj situate, në vepra konkrete, e jo për sulme që cenojnë kredibilitetin e kompanisë jashtë dhe brenda vendit dhe mohojnë të arriturat e kompanisë ndër vite” .

Kosova tash e disa ditë është duke u përballur me krizë energjetike si pasojë e së cilës është duke u aplikuar edhe ndërprerja e energjisë elektrike.

Ndonëse plani është që 8 orë të ketë furnizim ndërsa 2 orë jo, në disa vendbanime ka pasur reduktime më të gjata.

Për shkak reduktimeve të cilat nganjëherë kanë shkuar edhe në 20 orë pa energji, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë që do ta dërgoj një dosje në polici.

“Duke pasur parasysh që shumë qytetarë kanë shprehur dyshimet e tyre mbi vërtetësinë e problemeve teknike për reduktimet e zgjatura, Ministria e Ekonomisë është duke përgatitur një dosje me të gjitha raportimet për t’i dërguar në Policinë e Kosovës për të hetuar rastin”, ka shkruar ajo në Facebook.