Kastrati: Forcat serbe po terrorizojnë qytetarët e Karaqevës, KFOR duhet të marrë përgjegjësi

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka thënë se është e papranueshme hyrja e xhandarmërisë serbe në fshatin Karaqevë.

Sipas Kastratit qytetarët e kësaj zone vazhdimisht po terrorizohen nga forcat serbe.

“Terrorizimi i banorëve të Karaqevës nga forcat serbe është i papranueshëm dhe për këtë duhet të bartin përgjegjësi edhe forcat e KFOR-it. Ajo zonë është përcaktuar si zonë neutrale (edhe pse gabimisht) dhe e vetmja forcë që ka të drejtë hyrje në atë zonë është KFOR-i”, ka shkruar Kastrati në facebook

Sipas Kastrarit hyrja e xhandarmërisë serbe në atë zonë dhe kontrollet që i bëjnë njerëzve është ‘kërcënim direkt për qytetarët e Karaqevës në veçanti dhe për gjithë shtetin e Kosovës në përgjithësi’.

Kastrati ka thënë që tani është duke shkuar për ti takuar qytetarët e shqetësuar nga kjo situatë.

“U desh të largohem në gjysmë të takimit dhe diskutimit me kryetarët e komunave të regjionit tonë për hapat që duhet të ndërmarrim si regjion për trajtimin e COVID-19 dhe në këto momente jam duke shkuar pranë atyre qytetarëve që po përballen me këtë situatë kërcënuese”, ka shkruar tutje ai.

Qytetarët e fshatit Karaqevë të Komunës së Kamenicës vazhdimisht ankohen për patrullime të forcave serbe në këtë zonë.