Gjykata Speciale në Hagë - Foto: REL/EPA-EFE

Kandidati i PDK-së për deputet, Nezir Çoçaj, ftohet nga Gjykata Speciale

Organizata e Vetëranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Has, ka njoftuar se Gjykata Speciale ka ftuar për intervistë Nezir Çoçajn, i cili është kandidat i PDK-së për deputet.

Përmes një njoftimi, OVL e UÇK-së në Has ka shkruar se Çoçaj ka pranuar ftesë nga Dhomat e Specializuara dhe se gjatë ditëve në vijim ai do të paraqitet për intervistim, ndërsa nuk dihet në çfarë cilësie.

“OVL e UÇK-së, Dega në HAS, mbështet fuqishëm njeriun e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kontributin e tij për themelimin e UÇK-së, po ashtu vlerëson lart disiplinën e Çoçajt gjatë Luftës Çlirimtare në Kosovë që kishte të vetmin qëllim si të gjithë bijtë e bijat, Çlirimin e Atdheut nga Jugosllavia Vrastare Fashiste”, thuhet në njoftim.

Në listën e kandidatëve për deputetë të PDK-së, të publikuar më 15 janar, Nezir Çoçaj mban numrin 20, ndërsa edhe më herët ka qenë deputet i PDK-së.