Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidatët për kryetar të Shtimes premtojnë se 50% e drejtorive do të udhëhiqen nga gratë  

Të gjithë kandidatët që synojnë karrigen e të parit të komunës së Shtimes kanë premtuar se do të emërojnë gratë në krye të 50 për qind të drejtorive në këtë komunë.

Kandidati për kryetar të Shtimes nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Debat Pernime ka thënë se do të emërojë gratë si drejtoresha në 50% të drejtorive.

“Në bazë të drejtorive do të jenë katër gra drejtoresha”, ka premtuar Zeqiri.

Edhe kandidati nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Naim Ismajli ka premtuar se do të emërojë drejtoresha në krye të gjysmës së drejtorive.

“50 % do të jenë gra, është minimumi i garantuar”, ka premtuar Ismajli.

Edhe Qemajl Aliu, kandidat për kryetar të Shtimes nga Lëvizja Vetëvendosje, në Debat Pernime ka thënë se gratë do të kenë minimalisht gjysmën e pozitave drejtuese.

“Minimalisht 50% në çdo sferë publike”, ka thënë Aliu.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë karrigen e të parit të Shtimes diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Shtimes: Bedri Zeqiri nga LDK ; Naim Ismajli nga PDK dhe Qemajl Aliu nga LVV.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe shtatë kandidate për asambliste në Kuvendin Komunal të Shtimes: Adelina Beqa-Limani nga PDK; Albana Fazliu dhe Vahide Rexhaj nga LDK; Shqipe Miftari nga LVV; Zejnie Veliu nga Lista Guxo.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.