Kamenica shton hapësirat për trajtim të pacientëve me COVID-19

Komuna e Kamenicës ka njoftuar se Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare ka vënë në dispozicion një aneks shtesë për trajtim të pacientëve me COVID-19.

Ky veprim sipas komunës erdhi pas situatës së rënduar në Institucionet shëndetësore.

“QKMF në Kamenicë vë në dispozicion një aneks shtesë në objektin e Gjinekologjisë për marrjen e terapisë së personave me COVID-19 apo të dyshuar. Gjendja me COVID-19 është duke i rënduar institucionet shëndetësore në Kamenicë, ku numri i pacientëve të infektuar dhe të dyshuar është duke u rritur.
Duke parë këtë gjendje si parandalim të infektimit, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Kamenicë, nga dje ka vënë në dispozicion edhe një aneks shtesë në objektin e Gjinekologjisë,” thuhet në njoftim.

Në këtë aneks sipas njoftimit do marrin trajtim personat me përshkrime nga spitali rajonal, ata që janë të dyshuar dhe pozitivë me COVID-19.

“Personat të cilët vijnë me përshkrime nga spitali regjional apo ndonjë pulmolog, po ashtu personat e dyshuar apo edhe që janë pozitiv me COVID-19, mund ta marrin terapinë e përshkruar në këtë aneks. Ndërsa personat e palëvizshëm të cilët po ashtu janë të dyshuar apo edhe pozitiv me COVID-19, do t’i vizitojnë ekipet mjekësore për t’ua përshkruar terapinë,” thuhet tutje në njoftim.

Në njoftim gjithashtu theksohet se QKMF do të vazhdojë të punojë si çdo ditë duke ofruar shërbime për qytetarët që kanë nevojë.

Sot në Kosovë u shënuan edhe 225 raste të reja dhe 13 të vdekur.