Kadri Veseli e Rexhep Selimi ende nuk kanë dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit

Dy deputetët e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë nga Prokurori i Dhomave të Specializuara, ende nuk kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.

KALLXO.com merr vesh që asnjëri nga ta nuk ka dorëzuar letër të dorëheqjes nga detyra e deputetit dhe ata vazhdojnë të jenë të zgjedhur të popullit.

Rregullorja e punës së Kuvendit të Kosovës e ka përcaktuar çështjen e mungesës së deputetit në mbledhjet e Kuvendit.

Në rast se një deputet nuk merr pjesë në mbledhjen e Kuvendit në periudhën 6 mujore, atij i merret mandati, në rast se nuk e arsyeton mungesën.

“Në periudhën gjashtëmujore nuk merr pjesë në asnjë mbledhje të Kuvendit. Nëse deputeti nuk ia dëshmon faktet bindëse për çështjen Kryetarit të Kuvendit, Kryetari e kërkon rekomandimin e Komisionit për Mandat, Imunitet dhe Rregullore. Pas rekomandimit të Komisionit Kryetari ia propozon Kuvendit pushimin e funksionit të deputetit. Kuvendi vendos për çështjen në mbledhje të radhës”, thuhet në rregulloren e Kuvendit.

Në rast se brenda 6 muajve, Veseli e Selimi nuk marrin pjesë në Kuvend, ndaj tyre do të kërkohen arsyetime për mungesë dhe pastaj Komisioni për Mandate dhe imunitete do ta shqyrtoj pozitën e tyre.

Ndonëse, ish kryetari i PDK-së dhe deputeti Kadri Veseli, përmes profilit të tij në Facebook tha se heq dorë nga të gjitha pozitat e tij publike, deri më tani nuk ka shkuar asnjë letër e dorëheqjes në zyrat e sekretarisë së Kuvendit të Kosovës.

Letër e dorëheqjes nuk ka shkuar as nga shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimit.

Deklarimet e deputetëve për dorëheqje nuk vlejnë, derisa nuk dorëzohet me shkrim tek organet e Kuvendit të Kosovës.

Hashim Thaçi, me 5 nëntor dha dorëheqje nga posti i presidentit dhe lajmin e dha përmes një konference për media. Mirëpo, Thaçi dorëheqjen e kishte dhënë fillimisht me shkrim dhe këtë e kishte dërguar tek Kryetarja e Kuvendit, kryeministri dhe tek kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.

Po atë ditë, pas dorëheqjes, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu mori detyrat e saj kushtetuese duke filluar me ushtrimin e detyrës së presidentes së Kosovës.

Thaçi i njoftoi për dorëheqje Osmanin, Hotin e Rama-Hajrizin

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë dërguar në paraburgim në Hagë gjatë javës së kaluar.