Ka vdekur shkrimtari Musa Ramadani

Shkrimtari i mirënjohur shqiptar Musa Ramadani ka vdekur sot në moshën 76-vjeçare.

Lajmin për vdekjen e dramaturgut e ka bërë  të ditur studiuesi letrar, Agron Gashi, përmes një postimi në Facebook.

“Lamtumirë, miku im i përjetshëm!”, ka shkruar Gashi, i cili edhe është një prej studiuesve të veprës së Ramadanit.

Musa Ramadani ka qenë shkrimtar, dramaturg, kritik arti, eseist dhe gazetar.

Kritiku letrar shkollën e mesme kishte  përfunduar në Gjilan. Ndërsa shkollimin e lartë e përfundoi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren.

Që nga viti 1965 ka qenë gazetar, recensent teatror dhe redaktor i rubrikës së kulturës në gazetën “Rilindja”. Shkrimet e para i botoi te revista “Jeta e Re” dhe te javorja “Zëri i Rinisë”.

Në vitin 1972, Musa Ramadani e dërgoi për botim në “Rilindje” dorëshkrimin e librit “Neurosis XX”, por iu refuzua me arsye se ishte vepër “pesimiste” dhe “nihiliste”. Ishte anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe PEN Qendrës së Kosovës.

Ramadani la pas vetes një krijimtari  të gjerë letrare, si në prozë, dramaturgji, kritikë, eseistikë, e publicistikë. Për kontributin e tij në letërsinë shqipe, u dekorua me çmimin “Hivzi Sylejmani” për librin “Satana ma vodhi gurin e urtisë” në vitin 1987, është fitues i çmimit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për librin “Inamor: 55” në vitin 2000, fitues i  çmimit “Beqir Musliu” për vepër karrierë në vitin 2006 dhe çmimin kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” në vitin 2013.

Botoi veprat poetike: “Mëkatet e Adamit”, “Thirravaje”, “Neurosis”, “Muzat nuk flenë”, “Alfabeti i neurozave”, “Eugjenika e tri deteve”, “Nostalgjia antike” dhe “Mëkatet e E(ha)vës”.

Për nder të veprimtarisë së tij jetësore nesër do të mbahen homazhet në hollin e Teatrit Kombëtar nga ora 10:30.

Akademia përkujtimore do të mbahet në ora 12:00  në Teatrin Kombëtar. Varrimi i dramaturgut do të bëhet në ora 15:00 në varrezat e qytetit të Prishtinës.