AGK ngushëllon për vdekjen e Musa Ramadanit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ngushëlluar familjen, shoqërinë, kolegët me rastin e vdekjes së shkrimtarit, dramaturgut e gazetarit Musa Ramadani.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me dhimbje të thellë, mori lajmin për vdekjen e gazetarit, shkrimtarit dhe dramaturgut, Musa Ramadani. Veprimtarinë si gazetar, Ramadani e filloi në fund të vitit 1965 kur punoi si korrespodent i rregullt i gazetës “Rilindja” dhe pastaj redaktor i përgjithshëm i Kulturës, në të njëjtën gazetë. Ramadani la pas vetes një krijimtari të gjerë, si në gazetari ashtu edhe në publicistikë, prozë, dramaturgji, kritikë, dhe eseistikë. Varrimi i të ndjerit do të bëhet në orën 15:00, në varrezat e Prishtinës.Me këtë rast, AGK shpreh ngushëllime për familjen, miqtë, kolegët dhe të njohurit e gazetarit, Musa Ramadani” thuhet në telegramin e ngushëllimit.

Shkrimtari i mirënjohur shqiptar Musa Ramadani ka vdekur dje në moshën 76-vjeçare.

Për nder të veprimtarisë së tij jetësore nesër do të mbahen homazhet në hollin e Teatrit Kombëtar nga ora 10:30. Akademia përkujtimore do të mbahet në ora 12:00 në Teatrin Kombëtar. Varrimi i Musa Ramadanit do të bëhet në ora 15:00 në varrezat e qytetit të Prishtinës.